Osmani për Vullinin: E pamundshme të ndryshohen faktet historike

Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se mohimi nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur.

Duke reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm serb, Alleksandar Vullin, i cili më 10 dhjetor e quajti masakrën e Reçakut, "gënjeshtër", ndërkaq vrasjen e civilëve shqiptarë, "falsifikim", Osmani tha se Vullini me propagandë po përpiqet t'i ndryshojë faktet historike.

SHIKONI EDHE: Vullin reagon ndaj kritikave të SHBA-së dhe BE-së për Reçakun

Pas një vizite në një lokacion afër Nishit, ku po bëhen xhirime të një seriali për ngjarjet në fshatin Reçak, Vullin tha se “pretendimi për masakrën është fyerje e madhe për mbarë njerëzimin”.

“Ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit Millosheviq, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike. E pamundshme dhe e paarritshme. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Ky fakt është i njohur dhe i dokumentuar botërisht. Tendencat e Vullinit shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë, kjo përpjekje e kamotshme e këtij shteti në relacion me Kosovën”, citohet Osmani në një njoftim të publikuar nga Presidenca.

Sipas Osmanit, e vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagande e Vullinit dhe bashkëmendimtarëve të tij.

“Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak e anekënd Kosovës ka ndodhur një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë”, tha tutje Osmani.

Deklaratat e Vullinit i kanë dënuar edhe SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Në reagimin e tyre thuhet se mizoritë në Reçak janë të dokumentuara.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja dhe BE-ja dënojnë mohimin e masakrës së Reçakut

Forcat policore e ushtarake serbë në Kosovë, vranë më 15 janar 1999, 45 civilë shqiptarë, në mesin e të cilëve kishte gra e fëmijë.

Kjo masakër paraqiti momentin kryesor në vendimin e NATO-s që të nisë intervenimin ajror ushtarak ndaj asokohe, Republikës Federale Serbe (SRJ), për shkak të luftës dhe shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë.