Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit.
Këshilli Prokurorial i Kosovës më 8 prill 2022 i kishte dërguar propozimin Presidencës me emrin e Isufajt.
Gjatë një konference për media në Prishtinë, Osmani renditi disa shkelje ligjore, që tha se janë gjetur në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, prandaj ajo ka marrë vendim që të mos e dekretojë atë.
Presidentja tha se i ka kërkuar Këshillit Prokurorial që të propozojë një emër tjetër për këtë post, duke u bazuar në merita dhe transparencë.
“Ka pasur njerëz që dërgonin mesazhe se ‘në qoftë se nuk e dekreton, do të vëmë dosje, do të ngremë aktakuza’”, tha Osmani, duke e cilësuar si “shqetësuese” është ideja që personat brenda sistemit mund ta kërcënojnë presidenten e vendit për një çështje.
- Shmangia nga zbatimi i kritereve ligjore në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit
- Mohimi i mundësisë për mjet ankimor efektiv brenda KPK-së për kandidatët e pakënaqur përmes propozimit arbitrar të raportit të komisionit për rishqyrtim të kundërshtimeve
- Shkelje në procedurat e vlerësimit të reputacionit profesional të kandidatëve
- Shkelje në procedurat e vlerësimit të integritetit të kandidatëve
- Shkelje në procedurat e vlerësimit të koncept-dokumentit dhe prezantimit të tij nga kandidatët
- Cenimi i parimit të transparencës gjatë procedurave të përzgjedhjes
- Cenimi i parimit të barazisë përgjatë procedurës së përzgjedhjes së Kryeprokurorit
- Cenimi i parimit të meritokracisë përgjatë procedurave të përzgjedhjes
- Mungesat në dokumentacionin e dorëzuar nga KPK përkundër kërkesave të Presidencës që ta plotësojë atë
“Shumica e shkeljeve, që janë pjesë e vlerësimit të Presidencës janë konstatuar edhe përgjatë procedurës dhe janë bërë publike nga organizatat monitoruese të shoqërisë civile si dhe nga ambasadat e SHBA-së, Gjermanisë dhe Zyra e BE-së”, tha presidentja Osmani gjatë konferencës për media.
KPK reagon pas vendimit të Osmanit
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) tha se në një takim të mbyllur më 17 tetor ka diskutuar për situatën e krijuar pas mosdekretimit të Isufajt nga presidentja Osmani.
KPK tha se arsyetimet e Osmanit për mosdekretim ishin “tejet e pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze”, duke e akuzuar atë për “ndërhyrje në sistemin prokuroria”.
“Presidentja, si garantuese e zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në konferencën e sotme për media vërtetoi përpjekjen sistematike për shtrirjen e ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, me ç’rast lidhur me këtë çështje prezantoi arsye të paqëndrueshme për mosdekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, gjë që është në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese”, u tha në reagimin e KPK-së.
Ndërkaq, sa i përket deklaratave të presidentes kosovare se është përballur me kërcënime sa i përket çështjes së kryeprokurorit, KPK e ftoi Osmanin që "nëse ka prova dhe dëshmi t’i dërgojë ato tek organet kompetente, në mënyrë që të ndriçohen plotësisht, sepse sistemi prokurorial është institucion i veçantë kushtetues, i pavarur dhe i paanshëm, i cili kryen detyrën e vet në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor”.
Në takimin e së martës, KPK vendosi po ashtu që së shpejti të mbajë një takim për hapat që duhet të ndiqen pas mosdekretimit të Isufajt.
Ndërkaq, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shkroi në Facebook se vendimi i Osmanit është në linjë me qëndrimet e shprehura nga organizatat joqeveritare, ambasadat, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe Komisioni Evropian.
Të zhgënjyer me procesin e përzgjedhjes vitin e kaluar janë shprehur edhe Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara.
Me ligjin në Kosovë, kryeprokurori duhet të dekretohet nga presidenti i shtetit.
Në garë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.
Kryeprokurorit të deritashëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill, 2022.
Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit.