Osmani pret takim Kurti-Vuçiq gjatë këtij muaji

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pret që gjatë muajit korrik të mbahet takimi i ri midis dy bartësve të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë një konference për media në Slloveni, shtet në të cilin më 4 korrik ka nisur vizitën dyditore, Osmani tha se Kosova gjithmonë ka qenë konstruktive dhe është angazhuar në mënyrë aktive në dialog. Sipas saj, në këtë proces, Prishtina ofron propozime për të kontribuar në përforcimin e paqes në rajon.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, procesi po vazhdon, ka pasur takime në nivel të kryenegociatorëve dhe shumë shpejt, besoj gjatë korrikut – por, kjo varet nga lehtësuesit evropianë – ne do të kemi po ashtu një takim në nivel të liderëve. Por, procesi ka vazhduar, ka qenë konstant dhe shumë dinamik dhe po ashtu ka rezultuar në marrëveshjen për udhëzuesin në energji, që mendoj se është një arritje e madhe në proces. Po ashtu ka zhvillime pozitive në çështjen e të zhdukurve me dhunë që është një rrugë e rëndësishme drejt paqes dhe pajtimit në mbarë rajonin”, tha Osmani.

SHIKONI EDHE: Lajçak: “Situatë e re” në marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Ajo këtë deklaratë e bëri gjatë konferencës së përbashkët për media në homologun e saj slloven, Borut Pahor, i cili kërkoi si nga Kosova, po ashtu nga Serbia që të ringjallin dialogun që ka nisur më 2011 nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Ne dëshirojmë të ringjallim dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Sllovenia është mike e mirë e të dyja shteteve dhe ne do të donim që ky dialog të jetë i sinqertë dhe të japë rezultate, jo vetëm në formë të marrëveshjeve, por edhe në zbatimin e tyre. Prandaj, ne do të donim të ringjallnim shpresën që kemi parë në fillim të këtij procesi dhe kjo shpresë do të ishte e rëndësishme jo vetëm për qytetarët në Kosovë dhe Serbi, por do t’iu jepte shpresë të gjithëve në rajon sepse ata do ta shihnin se të gjitha çështjet mund të zgjidhen përmes dialogut”, tha ai.

Bartësit e dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar në Bruksel që nga korriku i vitit 2021. Deri më tani, ata kanë zhvilluar vetëm dy takime dhe që të dyja nuk kanë sjellë ndonjë rezultat konkret.

Zyrtarët në BE kanë thënë se janë duke përgatitur një takim të ri midis Kurtit dhe Vuçiqit, por ende nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur mund të ndodhë.

Osmani dhe Pahor po ashtu folën për procesin eurointegrues të Kosovës. Presidentja kosovare tha se Sllovenia është një prej mbështetësve më të zëshme për liberalizimin e vizave, por edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe institucione të ndryshme.

Pahor po ashtu konfirmoi se shteti i tij dëshiron që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të përmbyllet shpejt.

“Pikë së pari, ne presim nga partnerët tanë evropianë të përmbushin premtimet e tyre dhe këtu e kam fjalën për liberalizimin e vizave. Marrëveshja veçse është arritur dhe do të ishte e padrejtë për të rihapur këto diskutime”, tha ai.

SHIKONI EDHE: Finlanda optimiste për liberalizimin e vizave për Kosovën në vjeshtë

Po ashtu Osmani tha se Kosova që katër vjet ka plotësuar kriteret për viza dhe pret që gjatë presidencës çeke të BE-së të përmbyllet ky proces.

“Tani është në dorën e shteteve anëtare që të finalizojnë dhe përmbyllin këtë proces që është një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës. Ne presim që kjo të ndodhë në muajt e ardhshëm, por pavarësisht sfidave dhe pengesave ne do të vazhdojmë të ecin në atë rrugë si evropianë të vërtetë”, tha ajo.

Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë rekomanduar që të merret vendim pozitiv në këtë drejtim.