Nagavci: Vitin e ardhshëm mësimdhënësit testohen për licencë të avancuar

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se nga qershori i vitit 2024 do të fillojë testimi i mësimdhënësve që duan licencë të avancuar.

Nagavci, në një konferencë për media të mbajtur më 28 dhjetor në Prishtinë, ka thënë se mësimdhënësit nuk janë kundër këtij testimi që do të mundësojë avancimin në karrierë apo pagë më të lartë.

“Tashmë kemi finalizuar infrastrukturën ligjore, udhëzimet administrative që e mundësojnë testimin e mësimdhënësve, jemi në bashkëpunim me Këshillin shtetëror për licencimin e mësimdhënësve dhe partnerët tanë, edhe në proces të krijimit të udhëzuesit i cili do t’i bëjë të qarta të gjitha procedurat, kriteret dhe çdo gjë tjetër që është e nevojshme për realizimin me sukses të testit”, ka thënë Nagavci.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) e kundërshton idenë e testimit të mësimdhënësve, si mënyrë për t’i rilicencuar ata.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se “një testim i tillë me shkrim” do të konsiderohej nënçmues dhe degradues nga mësimdhënësit, sepse ata i kanë përfunduar shkollimet përkatëse.

Megjithatë, ai kishte theksuar se sindikalistët nuk janë kundër vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, si dhe gradimit të tyre.

SHIKONI EDHE: Nga digjitalizimi deri te vlerësimi i mësimdhënësve - çka e rrit cilësinë në arsim?

Nagavci ka thënë se SBASHK-u nuk duhet të kundërshtojë avancimin në karrierë për mësimdhënësit.

“Besoj që mësimdhënësit nuk janë kundër... do të jenë të suksesshëm në këtë vlerësim që do të bëhet dhe do të arrijnë të avancohen në karrierë, mund të ketë raste individuale por nuk mendoj që është mirë për SBASHK-un të dalë në mbështetje të atyre të cilët mund të kenë probleme”, ka thënë Nagavci.

Derisa ka folur për testimin për licencë të avancuar, Nagavci ka thënë se për këtë janë duke bashkëpunuar edhe me Shqipërinë dhe sipas saj më shumë rreth këtij testimi do të zbulojnë në tre mujorin e vitit të ardhshëm.

“Jemi në bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë të cilët e realizojnë një test të tillë për mësimdhënësit. Kolegët tanë kanë pasur disa takime tashmë edhe kemi punuar në këtë drejtim dhe këtë do ta bëjmë të ditur në tre mujorin e parë të vitit të ardhshëm dhe synimi është që nga qershori të fillohet me test për licencën e avancuar”, ka thënë Nagavci.

SHIKONI EDHE: Pse SBASHK-u po kundërshton testimin e mësimdhënësve?

Cilësia e arsimit në sistemin parauniversitar të vendit është kritikuar shpesh nga institucionet ndërkombëtare.

Në një raport që ka publikuar Banka Botërore në vitin 2020, është thënë se nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”.