Viti 2017, cilësohet si vit i zgjedhjeve në Kosovë. Më 11 qershor u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërkohë që në tetor pritet të mbahen zgjedhjet komunale.
Për organizimin e këtyre zgjedhjeve, Qeveria e Kosovë është e obliguar që nga buxheti i shtetit të ndajë mjete të konsiderueshme financiare, të cilat shumë herë thuhet se kanë qenë ngarkesë e madhe për buxhetin.
Për zgjedhjet parlamentare të parakohshme të 11 qershorit, nga buxheti i shtetit ishin ndarë rreth 5 milionë euro, por meqenëse këto zgjedhje nuk kishin qenë të planifikuara, një pjesë e mjeteve, rreth 2 milionë euro, ishin huazuar nga buxheti i zgjedhjeve komunale.
Tani në buxhetin për zgjedhjet komunale, të cilat do të mbahen më 22 tetor, janë minus 2 milionë euro.
Ministri në largim i Financave, Agim Krasniqi, tha për Radion Evropa e Lirë se në kuptimin financiar, procesi i zgjedhjet lokale do të mund të organizohet dhe se këto mjete të cilat aktualisht nuk janë në fondin e Komisionit Qendrore të Zgjedhjeve do të alokohen.
“KQZ ka në buxhet mbi 3 milionë euro për zgjedhjet lokale, që mundëson përgatitjet për zgjedhje dhe nuk ka asnjë problem që përgatitjet të fillojnë. Pjesa më e madhe e shpenzimeve për zgjedhjet lokale harxhohen në kohën kur do të mbahen zgjedhjet lokale, ndërsa pjesa tjetër, pagesat e komisionarëve dhe stafit tjetër, bëhet pasi që të përfundojnë zgjedhjet lokale. Në tetor ose edhe më herët, Qeveria mund të marrë vendim për të ndarë disa fonde nga fondi rezervë”, thekson Krasniqi.
Ai bënë të ditur se edhe nëse nuk do mund të bëhet së shpejti konstituimi i institucioneve të reja, Kuvendit dhe Qeverisë, edhe Qeveria në largim mund të marrë vendim që t’i ndajë këto mjete.
Kostoja përfundimtare e zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit ende nuk dihet, thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Për zgjedhjet e parakohshme kanë qenë të planifikuara rreth 5 milionë euro, për këtë është duke u përgatitur një raport i detajuar lidhur me koston e saktë të këtyre zgjedhjeve. Jemi në pritje të këtij raporti. Por, meqenëse këto zgjedhje nuk kanë qenë të planifikuara të mbahen këtë vit, një pjesë e mjeteve janë marrë nga buxheti i zgjedhjeve komunale, të cilat do të kompensohen”, thotë Elezi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë tani është në përgatitje të zgjedhjeve të rregullta për organet vetëqeverisëse lokale, që do të mbahen në 38 komunat e Kosovës.
Për këto zgjedhje nga Ligji i buxhetit të vitit 2017 janë ndarë 6.1 milionë euro.
Por, se sa do ta kenë koston përfundimtare këto zgjedhje, sipas Elezit pritet të shihet pas përfundimit të tërë procesit.
“Kostoja e zgjedhjeve lokale varet edhe në atë se në sa komuna do ta kemi raundin e dytë, pra i balotazhin i cili është paraparë me ligj. Vlen të theksohet se në zgjedhjet lokale të vitit 2013, janë mbajtur raundet e dyta në 25 komuna nga 38 sa janë gjithsej”, thekson Elezi.
Ndonëse, zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës mbahen çdo katër vjet, në Kosovë janë bërë zgjedhje më të shpeshta, pasi që pothuajse asnjëra legjislaturë në vend nuk ka arritur të përfundojë mandatin kushtetues katër vjeçar.
Mesatarja e një mandati qeverisës në Kosovë nuk ka arritur të jetë më shumë se dy vjet e gjysmë.
Arton Demhasaj, nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, thotë për Radion Evropa e Lirë se organizimi i zgjedhje të parakohshme konsiderohet se i ka shkaktuar ngarkesë të madhe buxhetit të shtetit.
“Në vazhdimësi në Kosovë janë konsideruar zgjedhjet si zgjidhje të probleme, por në fakt asnjëherë nuk kanë dalë se janë zgjidhje e problemeve, dhe nga kjo duhet të marrim mësim dhe të mos shkohet drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, si mundësi për të zgjidhur probleme politike, pasi që kjo ka treguar se nuk është zgjidhje e problemit, por vetëm ka shpenzuar miliona euro nga buxheti i Kosovës”, thekson ai.
Përveç këtyre mjeteve që ndahen për zgjedhje si ato parlamentare edhe lokale, shpenzime të mëdha gjatë fushatave zgjedhore bëhen nga partitë politike, që sipas Demhasaj, arrijnë shumë e mbi 15 milionë euro për një palë zgjedhje.
Ndryshe, në vit, partive politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës nga buxheti i Kosovës, u ndahen më shumë se 4 milionë euro.