Viti i ri shkollor fillon me disa probleme të vjetra

Foto nga arkivi

Me disa probleme që e përcjellin në vazhdimësi sistemin arsimor në Kosovë, ka nisur edhe viti i ri shkollor 2019-2020 për nxënësit e shkollave të nivelit fillor e të mesëm.

Autoritetet kanë konfirmuar se në shumicën e shkollave mësimi ka filluar pa pengesa, por në disa të tjera thuhet të ketë pengesa nga më të ndryshmet, duke filluar nga mungesa e stafit përkatës e deri tek problemet teknike.

Nga 2 shtatori, autoritetet përgjegjëse kishin paralajmëruar kthimin në shkolla edhe të 74 fëmijëve të kthyer nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak. Por, gjatë ditës, ministri në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi tha se këta fëmijë ende nuk janë gati për t’u kthyer në bankat e shkollës.

“Janë duke u bërë përgatitjet, kemi pasur nevojë për disa përgatitje edhe besojmë që shumë shpejt do të jenë pjesë e integruar nëpër klasa. Në momentin që t’i përgatisim fëmijët që të jenë të integruar në klasë, do të jenë pjesë e klasave të rregullta”, ka thënë ministri në detyrë i Arsimit.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka dalë me një sqarim për opinionin, i cili dallonte nga deklaratat e ministrit Bytyqi.
Sipas sqarimit të Ministrisë së Arsimit, sot (më 2 shtator) kanë filluar mësimin edhe fëmijët e moshës shkollore të kthyer nga vatrat e luftës.

“Procesi mësimor ka filluar edhe për nxënësit, mosha e të cilëve është me e madhe se mosha e paraparë me Ligjin për arsimin parauniversitar për të qenë nxënës të rregullt. Këtë mundësi integrimi në procesin mësimor e ka ofruar MASHT në bashkëpunim me DKA-të përmes skemës së mësimit intensiv”, thuhet në sqarim.

“Bazuar në të dhënat e MPB-së, nga vatrat e luftës janë kthyer 74 fëmijë, prej të cilëve 36 fëmijë janë nën moshën 0 deri në 3 vjeç, ndërsa 29 fëmijë (5 në parashkollorë dhe 24 në shkolla), sot kanë filluar procesim mësimor dhe pritet që së shpejti të integrohen edhe 9 fëmijë në kopshte”, theksohet në sqarimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Përveç këtij rasti, edhe në disa shkolla mësimi nuk ka filluar qoftë për shkak të renovimeve të papërfunduara, apo edhe problemeve siç është rasti i Komunës së Kamenicës, ku kryetari i kësaj komune, Qendron Kastrati kishte paralajmëruar mbylljen e disa shkollave për shkak të mungesës së nxënësve.

SHIKONI EDHE: Për herë të parë edhe logopedët do të angazhohen në shkolla

Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo Sindikatë është e shqetësuar me paralajmërimet për mbylljen e shkollave në Komunën e Kamenicës.

“Kemi qenë të shqetësuar për situatën në Kamenicë, nga paralajmërimet e kryetarit Kastrati se do të mbyllë një numër të shkollave. Raportet tona të ditës së sotme nga veprimtarët sindikalë flasin se në të gjitha shkollat e Kamenicës ka nisur viti shkollor, pra edhe në ato shkolla të cilat kryetari Kastrati i ka përmendur për t’i mbyllur,” u shpreh Jashari.

Jashari tha po ashtu se sipas raporteve të kësaj Sindikate, në komunat e tjera të Kosovës nuk ka pasur pengesa për nisjen e mësimit, përveç eventualisht në ndonjë shkollë që janë vonuar renovimet.

Liridon Maliqi, drejtor në shkollën Model - Qamil Batalli në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se mësimi ka filluar pa asnjë problem dhe se gjithë stafi i kësaj shkolle është i gatshëm.

“Filloi procesi mësimor shumë në rregull, me qenë se me të gjithë stafin e shkollës ditën e djeshme i kemi bërë të gjitha parapërgatitjet, secili nxënës i ka pasur librat para bankës së vet, pra, kompletin e librave,” tha Maliqi.

Në Komunën e Prishtinës janë 43 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta, si dhe 13 shkolla të mesme të larta me rreth 42 mijë nxënës që kanë filluar mësimin.

Njëra ndër shkollat e reja që është themeluar vitin e kaluar është shkolla “Mehmet Gjevori” në Prishtinë. Drejtoresha e kësaj shkolle, Valbona Kastrati thotë për Radion Evropa e Lirë se ky vit i ri shkollor ka filluar me disa pengesa, ku njëra nga to sipas saj është tejet serioze e që është mungesa e mësuesve për klasat e para.

“Kjo është një ditë e veçantë për punëtorët e arsimit e sidomos për vogëlushët e klasës së parë, por unë meqë e kisha mungesën e dy mësimdhënësve të klasave të para, e kisha atë stresin të cilin nuk e kam pasur këto 35 vite,” u shpreh Kastrati.

Brikena Krasniqi është nënë e dy djemve dhe sot e ka dërguar djalin e saj 9 vjeçar në klasë të katërt në njërën nga shkollat e Komunës së Prishtinës. Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se pritshmëritë e saj si prind për vitin e ri mësimor janë më të mëdha sesa ato të vitit të kaluar.

“Sot kur e kam dërguar djalin në shkollë, ishte një ndjenjë shumë e mirë me rifillu vitin e ri shkollorë, ai ishte shumë i gëzuar sa që as gjumi nuk e kishte zënë gjumi. Shpresojmë shumë që këtë vit shkollor do të ketë ndoshta reforma e më shumë kreativitet nëpër shkolla që fëmijët tanë të jenë në hap me të gjitha vendet e tjera në Evropë,” tha Krasniqi.

Krasniqi gjithashtu përmendi ngecjet në arsim për shkak të grevave vitin e kaluar dhe tha se për këtë vit shpreson që të mos ndodhin probleme të tilla.

SHIKONI EDHE: Një vit i rëndë për arsimin

“Shpresoj që nuk do të përsëritet ajo që ka ndodhur vitin e kaluar. Unë mendoj që pushimet i kemi mjaft të gjata dhe koha për të qenë në shkollë është mjaft e shkurtë. Prandaj, shpresoj shumë që do të jetë intensive,” u shpreh Krasniqi.

Viti i kaluar shkollor ishte shoqëruar me greva të mësimdhënësve si shenjë pakënaqësie ndaj Ligjit për Paga, që shkaktoi edhe humbje të orëve të mësimit duke pasur edhe probleme në kompensimin e tyre.