Nga furçat, te harqet: Në kërkim të tingullit të përsosur

Svetozar Bogdanovski inspekton me kujdes një copë druri në atelienë e tij në Veleshtë, Maqedonia e Veriut. Ai për violinat e tij zgjedh drurin, i cili merret nga pemët që janë më se 500-vjeçare të vjetra.

Para se të fillonte të bënte instrumente muzikore të klasit botëror, Bogdanovski e kalonte jetën duke pikturuar dhe tha se kurrë nuk kishte ndërmend të bënte kalimin nga penelat në harqe.

 

Bogdanovski duke kontrolluar tingullin e drurit.

Bogdanovski filloi të punonte violina pasi kuptoi se nuk mund të përballonte një instrument cilësor për djalin e tij të vogël të talentuar, Kostadin, që do t'i lejonte atij të realizonte talentin prej muzikanti.
 

Fotot e fëmijëve dhe nipërve të Bogdanovskit të ekspozuara në atelienë e tij. Të gjithë pasardhësit e tij luajnë në violinat që i ka punuar ai.

Ajo që filloi si një hobi është rritur në një kërkim obsesionues për tingullin e përsosur. "Tingulli u bë një obsesion", thotë ai. "Ajo që dikur ishte pikturë në kanavacë, u bë kërkim për ngjyrimin e tingullit; volumi dhe fuqia e tingullit u bënë profesioni im i përditshëm".

Të ushqyerit e atij obsesioni kërkonte një vendosmëri të pangopshme për të mësuar zanatin dhe për të marrë njohuritë e gjera dhe teknikat e ndryshme të nevojshme për të prodhuar një instrument të cilësisë më të lartë.

“Për shumëkënd, ishte e palogjikshme, por nuk mendoja shumë për atë që po i futesha. Isha i vendosur për të pasur sukses”, thotë ai.
 

Prodhimi i violinës është "shumë kompleks, delikat dhe kërkon njohuri thelbësore", si dhe mjete dhe materiale specifike, shpjegon Bogdanovski. Ai shton se kur filloi rrugëtimin e tij si mjeshtër violine, “nuk kishte internet apo YouTube, si sot. Literatura që kisha ishte shumë e varfër”.

"Ju duhet të zhyteni në vetë profesionin -- ndërtimi i instrumentit, ndërtimi i tingullit -- duke harmonizuar gjithçka që e bën instrumentin të krijojë tingullin më të mirë", shpjegon ai.

Një nga materialet më të rëndësishme është druri "shumë akustik", si bredhi dhe panja, që për fat të mirë të Bogdanovskit, gjendet afër në malet e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Elementi i fundit vendimtar për ta bërë violinën të këndojë është harku, të cilin Bogdanovski e quan "një kapitull i veçantë i tij" në procesin e mundimshëm të prodhimit të një violine.

"Kërkon njohuri për teknologjinë më të lartë, rrëshira, vajra esencialë dhe balsame. Këto gjenden në zona të ndryshme; ato duhet të blihen, mblidhen dhe të studiohet karakteri i tyre në mënyrë që të bëhet një hark që është elastik, i fortë dhe i qëndrueshëm”, shpjegon ai.
 

Ndërsa cilësia e mjeshtërisë së Bogdanovskit u përmirësua dhe fëmijët e tij u rritë në violinistë mjeshtër të cilët luanin në instrumentet e punuara me duart e babait të tyre, fjala u përhap në mesin e muzikantëve kryesorë. Ata udhëtonin nga larg për të shkuar në punishten e tij - ose për të rregulluar violinat e tyre ose për të blerë një nga të punuar nga vetë ai.

“Arsyeja është tingulli i mirë dhe fjala e mirë udhëton larg”, thotë ai.

Bogdanovski ka fituar njohje dhe çmime ndërkombëtare për violinat e tij.

"Sot, violinat e mia krahasohen me ato të mjeshtërve klasikë më të mirë të epokës klasike italiane. Është një kënaqësi e madhe që kemi arritur një nivel kaq të lartë", thotë ai.

Ai beson se shumë nga suksesi i tij mund t'i atribuohet "intuitës së tij artistike", ndryshe nga lutistët tjerë (lutist - mjeshtër që ndërton ose riparon instrumente me tela, si violina lahuta, kitara etj), që preferojnë një qasje më teknike.

 

Pas më shumë se 30 vjetësh këmbëngulje, etja e Bogdanovskit për tingullin e përkryer ende nuk është shuar.

"Ku është fundi i këtij kërkimi për tingëllimën e përsosur? Mendoj se nuk ka fund sepse tingëllima rrjedh, si kërkimi i përjetshëm i gurit të filozofit në punishtet e alkimistëve", thotë ai.

Bogdanovski dëgjon ndërsa gruaja e tij, Marija -- një violiniste profesioniste -- teston tingullin e një prej krijimeve të tij të reja.

Përtej kërkimit të cilësisë së tingullit, sfida të reja po i paraqiten gjithmonë këtij mjeshtri. Nipi i tij 10-vjeçar interpreton gjithashtu me violinë, duke i dhënë mundësinë Bogdanovskit të frymëzojë një brez tjetër muzikantësh dhe të sjellë gëzim në familjen e tij.

“Kjo është edhe një arsye më shumë pse ne vazhdojmë përpara”, thotë Bogdanovski. “Unë i bëra një violinë dhe tingëllon bukur në duart e tij. Ndërsa ata rriten, do të rriten edhe nevojat e tyre dhe shpresoj që kjo histori të zgjasë për një kohë të gjatë”.