Orban: Von der Leyen është punonjësja, jo kundërshtarja jonë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha më 19 korrik se Ursula von der Leyen është “një punonjëse” dhe jo kundërshtare.

Von der Leyen, e cila më 18 korrik u rizgjodh edhe për një mandat në postin e presidentes të Komisionit Evropian, ka qenë kritike e vazhdueshme e raporteve të ngushta të Orbanit me Moskën, por edhe për ngecjet në demokraci në Hungari.

SHIKONI EDHE: Von der Leyen rizgjidhet në krye të Komisionit Evropian

Orban, shteti i të cilit më 1 korrik mori udhëheqjen e presidencës së BE-së, vazhdimisht ka kundërshtuar mbështetjen evropiane për Ukrainën dhe sanksionet e vendosura kundër Moskës.

Më herët gjatë këtij muaji, ai realizoi një “mision të paqes”, duke vizituar Moskën dhe Pekinin, vizita këto që u kritikuan nga presidentja e KE-së, por edhe nga liderë të tjerë të bllokut evropian. Ai më pas u takua edhe me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, i cili është kandidat i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

“Von der Leyen nuk është kundërshtarja jonë politike, ajo është punonjësja jonë dhe e juaja”, tha Orban, gjatë një interviste për radion shtetërore hungareze më 19 korrik.

“Detyra e saj është të zbatojë linjën e përcaktuar nga kryeministrat. Pasi ajo merr rrogën nga shtetet anëtare, ajo është në një raport varësie”, tha Orban.

SHIKONI EDHE:

Zyrtarët e lartë të BE-së bojkotojnë takimet e mbajtura nga HungariaOrban takon Putinin në Moskë teksa BE-ja distancohet nga vizita

Deklaratat e Orbanit vijnë një ditë pasi von der Leyen, gjatë fjalimit të saj në Parlamentin Evropian para votimit për rizgjedhje, i kritikoi vizitat e realizuara nga Orbani.

Orban po ashtu u bëri thirrje krerëve të BE-së që të jenë më efektiv që ta mbajnë “përgjegjëse” von der Leyen, duke shtuar se performanca e saj ka qenë “shumë e dobët”.

Nën udhëheqjen e partisë Fidesz të Orbanit – që ka qenë në pushtet në Hungari që nga viti 2010 – Hungaria është akuzuar për dobësim të sundimit të ligjit, për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe për rritje të rasteve korruptive. Fonde të BE-së, në vlerë prej miliarda eurosh, të dedikuara për Hungarinë janë bllokuar nga BE-ja për shkak të këtyre shqetësimeve.