Viktimat e dhunës nuk gjejnë strehë afatgjate te shteti

Fotografi ilustruese.

Viktimat e dhunës në familje në Kosovë, mund të qëndrojnë të strehuara në Qendrat për strehimin e viktimave për një periudhë gjashtëmujore, por pas asaj kohe, atyre duhet t’iu bëhet një zgjidhje për t’u larguar nga strehimorja.

Me një nga viktimat e dhunës në familje me të cilën ka biseduar Radio Evropa e Lirë, por e cila nuk ka dashur të identifikohet, tregon se pas gjashtë muajve qëndrimi në një strehimore, në pamundësi për një zgjidhje tjetër më të mirë, është dashur të kthehet te burri, i cili kishte ushtruar dhunë ndaj saj para se të shkonte në strehimore.

Si e papunë dhe e varur ekonomikisht nga bashkëshorti, ajo thotë është kthyer prapë në shtëpi me shpresën se dhuna fizike dhe psikike që kishte përjetuar, nuk do të përsëritet.

Në Kosovë, funksionojnë dhjetë strehimore për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës mbi bazë gjinore, viktimave të trafikimit me qenie njerëzore dhe fëmijëve të keqtrajtuar, abuzuar, lënë pas dore dhe pa përkujdesje familjare.

SHIKONI EDHE: Nën trysni dhe duarthatë, viktimat e dhunës shpesh kthehen te dhunuesi

Këto strehimore, për të cilat shteti ndan fonde, funksionojnë në kuadër të organizatave joqeveritare vendore dhe ofrojnë shërbime siç janë strehimi, rehabilitimi dhe ri-integrimi.

Bazuar në të dhënat e Qendrave për Punë Sociale dhe strehimoret në Kosovë, gjatë periudhës janar-shtator 2020, nga shërbimet e strehimit kanë përfituar 319 viktima të dhunës në familje, prej tyre 184 gra dhe 135 fëmijë.

Shuma financiare që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), ka ndarë për vitin 2020 për dhjetë strehimoret, është 495,000 euro, thuhet në një përgjigje të kësaj ministrie dërguar Radios Evropa e Lirë.

Mbështetja financiare që ofrohet për këto strehimore, sipas MPMS-së, ndryshon ndër vite dhe bazohet në nevojat që kanë për të zbatuar programet e tyre për mbrojtjen, strehimin, rehabilitimin dhe ri-integrimin e viktimave.

“Strehimoret në kuadër të tyre kanë programet strehuese dhe rehabilituese e që konsistojnë në ofrimin e shërbimeve si sigurim të ushqimi, mjeteve higjienike personale, sigurim të medikamenteve mjekësore dhe aktivitete që ndërlidhen me rehabilitim për viktimat e dhunës brenda strehimores”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Por, kjo mbështetje është e pamjaftueshme.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

Mirlinda Sada, drejtoreshë e Qendrës ‘Medika’ në Gjakovë, qendër kjo e cila strehon edhe viktimat e dhunës në familje, kërkon nga institucionet e Kosovës që këto strehimore të ndihmohen më shumë financiarisht, pasi që numri i viktimave të dhunës në familje ka shënuar rritje, apo siç thotë ajo, gratë janë vetëdijesuar dhe po paraqesin dhunën kur ajo ushtrohet ndaj tyre.

“Nevoja për ndihmë financiare është shumë e madhe. Shteti ynë, institucionet tona duhet të bëjnë më shumë për këtë çështje”, thotë ajo.

Sada konfirmon se kthimi në shtëpi, ku e përjetuan dhunën, është njëra nga zgjidhjet që disa nga këto viktima bëjnë.

“Në rastet kur viktima e dhunës në familje qëndron më tepër sesa koha që është e paraparë gjashtëmujore, atëherë nëse nuk është gjetur një zgjidhje për viktimën e dhunës i shtyhet afati i qëndrimit në strehimore deri në gjetjen e një zgjidhjeje për atë viktimë. Nuk lihet në rrugë dhe nuk dëbohet nga strehimorja pa iu gjetur një zgjidhje dhe pa e stabilizuar gjendjen e saj”, thotë Sada.

Numri i viktimave të dhunës në familje, në rritje

Sipas Policisë së Kosovës, që nga fillimi i këtij viti e deri në muajin gusht janë paraqitur mbi 1,338 raste të dhunës ndaj grave, prej tyre katër raste kanë përfunduar me vdekje.

Numri i rasteve të dhunës në familje të raportuara në Policinë e Kosovës ka shënuar rritje ndër vite.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

Në vitin 2017 numri i rasteve të dhunës në familje të raportuara ishte 1,269, kurse në vitin 2019 janë raportuar 1,915 raste.

Rrjeti i Grave: Gratë i falin bashkëshortët dhe kthehen te ta

Rrjeti i Grave të Kosovës që përfaqëson interesat e 151 organizatave anëtare, përfshirë këtu organizatat e grave të të gjitha grupeve etnike në Kosovë, në vazhdimësi janë duke i monitoruar rastet e dhunës në familje.

SHIKONI EDHE: Viktimat e krimit në Kosovë, të pambrojtura

Në një përgjigje me shkrim nga Rrjeti i Grave të Kosovës dërguar Radios Evropa e Lirë më 20 shtator, thuhet se kanë vërejtur se ka raste kur gratë i falin bashkëshortët dhe kthehen te ta. Sipas këtij Rrjeti, kjo zakonisht bëhet për shkak të presionit familjar, presionit të zyrtarëve institucionalë, kushtet e rënda ekonomike, mungesa e pronës, papunësia, si dhe frika e humbjes së kujdestarisë së fëmijëve.

Gratë në Kosovë në numër të madh vazhdojnë të jenë të varura ekonomikisht dhe të pa punësuara.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës punësimi te gratë është 14.1 për qind. Gratë janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor.