Ambasada amerikane: Autorët e dhunës seksuale në Kosovë të mbahen përgjegjës

Fotografi ilustruese

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë kërkoi angazhim nga institucionet e Kosovës për, siç tha, vendosjen e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale, gjatë luftës në Kosovë.

“Është koha për të dyfishuar përpjekjet dhe për t’i mbajtur përgjegjës të gjithë autorët, pavarësisht nga prejardhja, etnia, apo lidhjet politike”, tha Ambasada amerikane në një postim në Facebook.

Javën e kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dhjetë vjet burgim ish-rezervistin e policisë serbe, Zoran Vukotiq, për kryerjen e veprës penale të dhunës seksuale, gjatë luftës në Kosovë.

Kjo ka qenë hera e parë që dikush është dënuar për një krim të tillë nga gjykatat e Kosovës.

SHIKONI EDHE: Dënimi i parë për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

Sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet, gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998/99, kanë qenë rreth 20 mijë raste të përdhunimeve seksuale nga pjesëtarë të forcave serbe.