Diabeti, sëmundjet e mushkërive, ato të zemrës, janë disa prej sëmundjeve shoqëruese që kanë pasur viktimat me COVID-19 në Kosovë, por ka pasur raste me koronavirus, që kanë përfunduar me fatalitet, e që nuk kanë pasur asnjë sëmundje shoqëruese. Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë.
Hoti tregon se këto të dhëna dalin nga analizat që ka bërë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK). Ai thotë se te rastet me fatalitet, që kanë qenë të moshës së mesme dhe të rinj, ka pasur edhe raste që përveç sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi, pacientët nuk kanë pasur sëmundje të tjera.
“Sëmundjet të shpeshta shoqëruese kanë qenë sëmundjet kronike si diabeti, sëmundjet kronike obstruktive të mushkërive, sëmundje të ndryshme të zemrës, por edhe shumë sëmundje të tjera. Por ka pasur vdekje edhe nga vetë COVID-19, pa pasur sëmundje të tjera. Për këtë arsye, u bëjmë thirrje, sidomos gjeneratave të reja që të kenë shumë më tepër kujdes dhe konsideratë për prindërit dhe gjyshërit e tyre, të cilët bien në kategoritë me të rrezikuara nga COVID-19, duke e ditur faktin se sëmundjet kronike janë më të shprehura te moshat më të shtyra”, tha ai.
SHIKONI EDHE: Pak shtretër e shumë të infektuar, ‘Spitali COVID-19’ nuk është gatiDrejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka qenë i paqasshëm për t’u prononcuar për këtë çështje. Të gjithë spitalet dhe klinikat që trajtojnë të sëmurët me COVID-19, obligohen që t’i raportojnë institucionit që udhëheqë Ramadani.
Infektologu Sali Ahmeti tha për Radion Evropa e Lirë, se në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës – ku po trajtohen pacientët me COVID-19 – nëse krahasohet numri i të hospitalizuarve, numri i vdekjeve nuk është i lartë.
“Në raport me numrin e të shëruarve, normalisht që edhe një vdekje është shumë, por këto që po ndodhin, janë shifra konkurrente me shumë vende të avancuara në botë. Mosha mesatare e vdekjeve në klinikën tonë është 60 deri në 80-vjeçare. Përndryshe sëmundjet shoqëruese të pacientëve të vdekur kanë qenë kryesisht diabeti, mbipesha, sëmundjet kardiovaskulare, komplikimet e ndryshme respiratore pas COVID-19 si dhe trombet e ndryshme kanë qenë sëmundjet më të shpeshta te ne në klinikë’’, theksoi Ahmeti.
Infektologu Ahmeti thotë se sa i përket moshave të reja, që në Klinikën Infektive janë trajtuar për COVID-19, ka pasur edhe raste që kanë përfunduar me fatalitet dhe sipas tij, nga kjo grupmoshë, në klinikën ku ai punon, viktimat nuk kanë qenë pa sëmundje shoqëruese.
Prej 30-39 vjeç, grupmosha më e prekur nga COVID-19
Sa i përket grupmoshave më të prekura nga COVID-19, sipas Faik Hotit nga MSH-ja është ajo prej 30 deri në 39 vjeç, pasuar nga grupmosha 40-49. Pas kësaj vijnë grupmoshat nga 50-59 dhe 20-29. Sa i përket gjinisë, më shumë të infektuar me koronavirusin e ri ka meshkuj, me 51 për qind, kundrejt 49 për qind femra.
Ndërkaq, grupmoshat që kanë më së shumti raste me fatalitet janë 70-79 vjeç, pasuar nga grupmosha 60-69 vjeç. Pastaj vijnë personat mbi 80 vjeç, bëri të ditur Hoti, duke thënë se këto të dhëna janë marrë nga IKSHPK-ja.
Sipas të dhënave që IKSHPK-ja publikon në baza ditore, nga 30 nëntori deri më 6 dhjetor, Kosova ka regjistruar 3,748 raste të reja me koronavirus dhe 101 pacientë kanë vdekur.
Spitalet rajonale pa të dhëna rreth sëmundjeve të pacientëve të vdekur
Spitali i Mitrovicës, për një javë ka trajtuar mbi 200 pacientë të infektuar me koronavirus. Megjithëkëtë drejtori i këtij spitali, Sadik Fejza tha se nuk kanë të dhëna të pacientëve të vdekur, nëse ata kanë pasur sëmundje shoqëruese ose jo.
SHIKONI EDHE: Mungesa e oksigjenit vë në sprovë spitalet rajonale“Në detaje nuk kam kërkuar referim të sëmundjeve tjera. Por, e di se janë në moshë të shtyrë. Ne i raportojmë në baza ditore IKSHPK-së dhe nuk bëjmë analiza të tilla për moshën ose sëmundjet. Mundem vetëm dezinformata të jap pasi nuk kemi nxjerrë raport për trajtimin, kohëzgjatjen, sëmundjet”, tha ai.
Edhe drejtori i Spitalit të Gjakovës, Afrim Avdaj, tha se nuk kanë të dhëna për pacientë, nëse kanë pasur sëmundje shoqëruese ose jo. Ai tha se për përpilimin e këtyre të dhënave kërkohet punë.
“Analiza të tilla nuk kemi bërë sepse kjo do shumë punë. Kemi pasur nga fillimi i pandemisë mbi 1 mijë pacientë me COVID-19. Andaj kjo i do kohë dy muaj, dhe unë nuk mund ta ndajë një punëtorë të merret me këtë punë”, thotë ai.
Vdekjet në 100 mijë banorë në vendet e rajonit
Sa i përket numrit të vdekjeve në 100 mijë banorë, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), nga data 20 nëntor e deri më 2 dhjetor janë si vijojnë:
Kosova ka të vdekur në 100 mijë banorë 9,23 për qind të numrit total të të infektuarve, Shqipëria 6.15 për qind, Bosnjë e Hercegovina 19.33 për qind, Maqedonia 19.02 për qind, Sllovenia 18.7 për qind, Kroacia 17.42, Serbia 8.20 dhe Mali i Zi 14.7 për qind.