Shkon në 44 numri i viktimave nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

Ushtria dhe personeli mjekësor ngrenë tenda pranë Klinikës për Sëmundje Ngjitëse në Shkup.

Edhe gjashtë persona kanë humbur jetën në Maqedoni të Veriut nga koronavirusi, duke e çuar në 44 numrin e përgjithshëm të viktimave.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik, dy viktima janë nga Shkupi dhe Kumanova, një në Prilep dhe një në Veles. Viktimat sikur edhe në rastet tjera janë të moshuar të cilët kanë vuajtur nga sëmundje të ndryshme kronike.

Sa i përket të infektuarve, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 54 raste të reja me çka numri i të përgjithshëm ka arritur në 910. Më së shumti të infektuar ka në Shkup (329), Kumanovë (236), Prilep (85), Strugë (43), ndërsa 14 qytete tjera kanë numër më të vogël të të infektuarve.

Përse numrat nuk e tregojnë rrëfimin e plotë?

Përpilimi ditor që bën Universiteti Johns Hopkins për rastet globale me koronavirus është aktualisht më gjithëpërfshirësi në botë, por mbështetet në informacione që ofrojnë qeveritë.

Në shumë vende ka kufizime të informacioneve të tilla ose arsye përse nuk publikohet rrëfimi i plotë.

Metodologjia, shpejtësia, transparenca dhe cilësia e këtyre të dhënave mund të dallojë shumë nga vendi në vend.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ndërkohë ka dhënë detaje edhe për terapinë që po përdoret për trajtimin e të infektuarve me koronavirus, duke thënë se kombinim i dy antibiotikëve po jep rezultate te pacientët. Bëhet fjalë për Azitromicinën i njohur edhe me emrin Sumamed dhe Hidroksiklorokinën, që janë përdorur si ilaçe kundër malaries.

“Terapia po jep rezultate dhe një numër i mirë i pacientëve janë lëshuar në kurim shtëpiak. Ata do të vazhdojnë të marrin terapinë bazuar në rekomandimet e mjekëve”, ka deklaruar Venko Filipçe.

Ministri i Shëndetësisë gjithashtu njoftoi edhe për terapi tjetër që rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, por edhe porosinë që është bërë nga Japonia për ilaçin Avigan që ka dhënë rezultate kundër virusit në këtë shtet, e që është porositur edhe nga vende tjera.

Filipçe ka paralajmëruar se beteja me koronavirusin do të jetë e gjatë dhe e rëndë, në veçanti për personelin mjekësor që do të vazhdojë të jetë në krye të detyrës, ndërsa sa i përket masave, tha se për to është vështirë të jepen parashikime. Sipas tij, gjithçka do të dihet pas arritjes së majës me të infektuarit dhe kur numri do të fillojë të shënojë rënie.

Nga qeveria ndërkohë kanë miratuar masa të reja për fundjavë kur do të jetë edhe festa e Pashkëve ortodokse. Me qëllim të ndalimit të grumbullimit të qytetarëve nëpër objekte fetare apo hapësira tjera publike, do të vendoset orë policore apo ndalim të plotë të lëvizjes nga e premtja në orën 16:00 deri të martën në orën 05:00.

Foto nga Kumanova, qyteti më i goditur nga COVID-19

Krerët e institucioneve sërish kanë bërë thirrje që masat të respektohen, si mundësi e vetme për të dalë sa më shpejtë nga gjendja që është krijuar nga koronavirusi.

“Mund të miratojmë 1,001 rekomandime, por nëse ato nuk respektohen gjithçka bie në ujë. Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se jeta jonë e përditshme tanimë ka ndryshuar, shumë më e rëndë dhe më e komplikua. Por, kjo është mënyra e vetme që të përballemi me këtë rrezik të padukshëm”, ka deklaruar ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, e cila është edhe anëtare e shtabit të krizës për përballje me pandeminë.