Pavarësisht faktit se numri i rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë gjatë ditëve të fundit ka shënuar një rënie të lehtë, ai i viktimave vazhdon të jetë i lartë.
Të mërkurën (15 shtator) në Kosovë janë regjistruar edhe 12 të vdekur nga sëmundja COVID-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 2,845.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë 24 orëve të kaluara janë shënuar edhe 410 raste të reja të të infektuarve, bazuar në 8.789 testime të bëra në laboratorët publikë dhe privatë.
Llogaritur në përqindje rezulton që 4.6 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë.
Aktualisht, raste aktive me koronavirus janë 14.501 persona.
Që nga shpërthimi i pandemisë në mars të vitit të kaluar, Kosova ka konfirmuar mbi 158,000 raste të të infektuarve.
Deri të mërkurën mbi 385.000 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë kundër koronavirusit.
Më herët, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi se në spitalet e Kosovës janë të shtrirë 779 pacientë me koronavirus.
Prej tyre, 49 pacientë janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa 659 janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi, thuhet në njoftim.
Shifrat janë më të ulëta se një ditë më parë, kur numri i të hospitalizuarve me koronavirus ishte 883, ndërsa i pacientëve në gjendje të rëndë 55.