Iryna, simboli i vuajtjes së Ukrainës
Thonjtë e lyer me ngjyrë të ndezur -- katër ishin të kuq dhe i pesti kishte një zemër të vogël ngjyrë vjollce të kufizuar me llak argjendi -- zbuluan identitetin e gruas. Iryna Filkina, 52-vjeçare, ishte një operatore në sistemin e ngrohjes në një qendër tregtare kur u vra në Buça, një qytet në veriperëndim të kryeqytetit ukrainas, Kiev.
Kur gazetarët hynë në Buça pas tërheqjes së forcave ruse, ata gjetën trupin e Filkinës pranë biçikletës së saj.
Filkina vdiq në rrugën Yablunska, një rrugë e gjatë, tashmë famëkeqe, në preriferi të Buçës, ku trupat e tjerë të civilëve të vrarë, disa me duar të lidhura pas shpine, ishin lënë pa u varrosur. Kryebashkiaku i Buçës tha se 400 civilë u vranë nga forcat ruse.
Estetistja e Irynas, Anastasia Subacheva, e cila tani jeton në Vilnius, Lituani, kujton mbrëmjen e prillit kur hasi në një postim në rrjetet sociale që tregonte dorën e pajetë.
"I kontrollova mesazhet tona dhe i krahasova fotot që i bëra asaj me atë foto. Dhe, ishte ajo. Fillova të bërtas.... Qava mbi supin e nënës sime, u ndjeva shumë bosh dhe e lënduar".
Një person tjetër që ende përpiqet për ta kuptuar vrasjen e Irynas është partneri i saj, Anatoliy Shchyruk, i fotografuar këtu duke mbajtur një nga pulovrat e saj.
Svitlana Safonova shikon një foto të Irynas, motrës së saj. Ajo mësoi për vdekjen e motrës nga vajzat e Irynas.
Në një ditë të ftohtë shkurti, Safonova dhe Shchyruku vizituan varrin e Irynas në Buça. Ata nuk i përmbajtën dot lotët pasi vendosën 12 trëndafila rozë pranë një kryqi të thjeshtë që shënon vendin e fundit të pushimit të saj.
“Për mua bota përfundoi më 5 mars [që besohet se ishte dita e vdekjes së Irynas],” tha Safonova teksa qante pranë varrit të motrës së saj. “Është një gjë kur dikush vdes pas një sëmundjeje të gjatë dhe varroset. Është tjetër nëse dikush vritet papritur dhe pa arsye”.