Libri i historisë që zemëroi veteranët e luftës në Bosnje

Në librin e historisë për klasën e nëntë në Republikën Sërpska, në vend të gjenocidit në Srebrenicë, thuhet se ushtria e këtij entiteti "kapi Srebrenicën dhe Zhepën".

Veteranët e luftës në rajonin e dominuar nga serbët në Bosnje e Hercegovinë po zhvillojnë një betejë të re pothuajse tri dekada pasi i ulën armët. Këtë herë, beteja po zhvillohet për librin e historisë së klasës së nëntë, që ata thonë se minimizon vuajtjen e serbëve.

Autoritetet në rajonin me popullsi serbe e me mendësi separatiste po dëgjojnë: Qeveria e Republikës Sërpska, e udhëhequr nga secesionisti i kamotshëm Millorad Dodik dhe partia e tij, Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), po përgatit libra të rinj të historisë bazuar në kërkesën, jo të historianëve, por të grupeve të veteranëve.

Ministria e Edukimit në entitetin e Republikës Sërpska dhe Instituti i Pedagogjisë, që ndihmon në zgjedhjen e teksteve shkollore, kanë mbajtur disa takime me Organizatën e Veteranëve të Republikës Sërpska, që pretendon se është organizata më e madhe joqeveritare në këtë entitet dhe në mesin e OJQ-ve më të mëdha në mbarë vendin.

Organizata e Veteranëve insiston se nxënësit e klasave të nënta “marrin informacione të pamjaftueshme për luftën mbrojtëse patriotike” – gjuhë që potencialisht sugjeron se boshnjakët dhe kroatët ishin agresorët dhe se forcat dërmuese serbe të mbrojtësve të ish-Jugosllavisë – dhe thotë se autoritetet qendrore boshnjake “me qëllim mësojnë nxënësit për luftën” duke paraqitur serbët ekskluzivisht si agresorë.

“Është shumë e shëmtuar që fëmijët mësojnë këtë”, tha Millovan Gagiq, kryetar i Organizatës së Veteranëve, gjatë një prononcimi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, në referencë për Federatën Bosnjake dhe Kroate të Bosnje e Hercegovinës, që së bashku me Republikën Sërpska, përbëjnë Bosnjën. “A mësojnë fëmijët tanë historinë siç ka ndodhur apo mësimet bazohen në disa rrëfime tendencioze?”.

Luftërat në vitet ’90 ende ndajnë thellësisht ish-Jugosllavinë përgjatë vijave etnike. Luftimet kanë vrarë më shumë se 100.000 persona, përfshirë më shumë se 8.000 burra dhe djem në një prej kapitujve më të errët të shekullit të 20-të, në vrasjet masive të kryera nga trupat serbe dhe milicia kundër boshnjakëve në Srebrenicë, në atë që tani është Republika Sërpska. Masakra është cilësuar si gjenocid nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND).

*Video nga arkivi: Në kërkim të mbetjeve mortore të viktimave të Srebrenicës

Your browser doesn’t support HTML5

"Sillni të paktën dy kocka dhe varrosni, që të dihet se fëmija im ka jetuar"

Historia e luftës

Pas përfundimit të luftës më 1995, dy entitetet në Bosnje krijuan plane dhe planprograme të ndara kombëtare të arsimit dhe kurrikula të ndryshme për popullatat boshnjake, kroate dhe serbe.

Frika se do të rindizen tensionet etnike, megjithatë, shtyn Këshillin e Evropës më 2000 që të rekomandonte që shkollat boshnjake të përjashtonin nga kurrikulat shkollore luftën derisa historianët “nga të gjitha komunitetet” të mund të “zhvillonin një qasje të përbashkët”. Si rezultat, mësuesit dhe tekstet shkollore përmendnin vetëm detaje minimale për luftën. Megjithatë, ai ndryshim zgjati deri më 2018, kur Ministria e Arsimit në rajonin e Sarajevës hoqi dorë nga rekomandimi i Këshillit të Evropës. Pjesë të tjera të shtetit më pas ndoqën këtë shembull dhe tekstet shkollore që përdoren në mbarë Bosnjën nisën të ofronin më shumë detaje për luftën, shpesh të bazuara në anime të theksuara etnike.

Teksti shkollor që Organizata e Veteranëve po sfidon u publikua më 2016 nga Instituti i Teksteve Shkollore dhe Mjeteve Mësimore në Sarajevën Lindore, në Republikën Sërpska.

Pjesë nga libri i historisë me të cilën mësojnë klasët e nënta. Aty shkruhet për historinë moderne.

Trajtimi që ky tekst shkollor i bën kriminelëve serbë të luftës nga Bosnja, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, në kapitullin “Lufta Civile në Bosnje e Hercegovinë: Krijimi i Republikës Sërpska” vë në pah mënyrën se si mësimdhënësit shpesh kanë anashkaluar aspektet thelbësore të luftës në Bosnje e Hercegovinë.

Karaxhiq, që në kohën e luftës ishte president i Republikës Sërpska, është dënuar për gjenocid dhe krime lufte në Tribunalin e Hagës më 2016 dhe ende gjendet në një burg në Mbretërinë e Bashkuar.

Ai ende përshkruhet si një person që ka “një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në krijimin e Republikës Sërpska”, por në tekstin shkollor nuk listohet asnjë nga krimet e kryera nga ai. Nxënësit mësojnë se Mlladiq, që ishte komandant i forcave serbe të Bosnjës në Srebrenicë, “ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e serbëve në Kroaci më 1991”, por nuk përmenden veprimet e tij, për të cilat Haga e dënoi për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera. Teksti shkollor i përshkruan vrasjet masive të vitit 1995 si “kapjen e Srebrenicës [dhe të qytetit të afërt] dhe Zhepës nga ushtria e Republikës Sërpska”.

Në librin e historisë shkruhet se Radovan Karaxhiq është personi përgjegjës për krijimin e Republikës Sërpska.

Shumë nacionalistë serbë në Bosnje dhe në shtetet fqinje ende i konsiderojnë Karaxhiqin, Mlladiqin dhe liderët e tjerë të luftës si heronj, një problem i madh që nxiti mbikëqyrësin civil ndërkombëtar të mbështetur nga Kombet e Bashkuara që të përdorte të ashtuquajturit Fuqi të Bonit më 2021, duke kërkuar që Republika Sërpska të tërhiqte nderimet zyrtare për kriminelët e dënuar të luftës.

Ata që kërkojnë shenja për shërbim dhe llogari në shoqërinë boshnjake kanë paralajmëruar se pasojat e qasjes së gabuar në arsim vështirë se do të riparohen.

“Mësimi i diçkaje që është e polarizuar, falsifikuar dhe dashakeq ... do ta çojë shoqërinë drejt vetëshkatërrimit”, tha për REL-in, Branko Todoroviq, president i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Republikën Sërpska.

Kjo organizatë joqeveritare është themeluar më 1996.

“Ne do të bëhemi gjithnjë e më të mbyllur dhe nuk do të jemi në gjendje të zhvillojmë asnjë dialogu shoqëror”.

Todoroviq tha se prioriteti në Bosnje – që sapo ka nisur bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme nga Dodiku dhe aleatët e tij në SNSD për pavarësi, votime dhe institucione në baza etnike – duhet të jetë pajtimi, toleranca, llogaridhënia për krime të kryera gjatë luftës.

Në vend të kësaj, sistemi ekzistues po ua kalon brezave të rinj urrejtjen dhe madhërimin e kriminelëve të luftës.

“Është e padrejtë që udhëheqësit politikë kanë kujtesë të shkurtër dhe qëllime djallëzore dhe bartin barrën e së kaluarës te rinia, të cilët nuk mund t’i zgjidhin [problemet] nëse e mësojnë gabimisht historinë”, tha Todoroviq.

Qëllimi “patriotik” i edukimit

Nga Qeveria e Republikës Sërpska apo zyrtarë të tjerë nuk ka njoftime se çfarë elementesh mund t’i shtohen tekstit shkollor në fjalë ose kur ata synojnë që kjo çështje të përfundojë.

Entiteti i Institutit të Pedagogjisë konfirmoi për REL-in se përfaqësuesit e institutit janë takuar në disa raste me zyrtarët nga Ministria e Arsimit për të diskutuar për “historinë moderne kombëtare” që nga nisma e Organizatës së Veteranëve. I pyetur nëse veteranët duhet të përfshihen në hartimin e teksteve shkollore, Instituti tha se respekton kërkesat e justifikuara, përderisa po punon që të përcaktojë përmbajtjen e testeve shkollore. “Qëllimi është të forcohet patriotizmi dhe identiteti kombëtar”, tha Instituti Pedagogjik dhe “t’u ofrojë nxënësve fakte objektive historike të bazuara në shkencë lidhur me ngjarjet nga vitet ’90 të shekullit të kaluar deri më sot”.

Në përgjigje të pyetjes së REL-it, Ministria e Arsimit tha se nisma synon që historia e Republikës Sërpska të kuptohet më mirë. Ky institucion shtoi se është rezultat i diskutimeve jo vetëm me Organizatën e Veteranëve, por po ashtu me publikun profesional “që beson se është e nevojshme që nxënësit të mësojnë për rrethanat historike në Bosnje e Hercegovinë nga ajo periudhë, në një mënyrë të duhur dhe kritike, nga kjo distancë, dhe ata të mësojnë për historinë e popullit të tyre”.

Gjenerata aktuale që ndjek arsimin fillor dhe të mesëm në Republikën Sërpska ka lindur të paktën një dekadë pas Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995 që i dha fund luftës dhe krijoi administratë në Bosnje, të bazuar në etni. Por, kujtimet e luftës janë gjithmonë të pranishme, nga kërkimet në Bosnje dhe gjetkë për mbetjet mortore të boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve të zhdukur; te nxënësit e shkollave që marrin pjesë në përvjetor dhe ceremoni përkujtuese e deri te ngjarje nga e kaluara e dhunshme.

SHIKONI EDHE: Në Serbi “kapërcehen” mësimet për luftërat e viteve ‘90

Ministritë e Arsimit në Bosnje kanë miratuar udhëzime të nxjerra nga viti 2006 nga Këshilli i Evropës për hartimin dhe vlerësimin e teksteve të historisë për shkollat fillore dhe të mesme. Një manual vijues i vitit 2008 thotë se materialet e tilla duhet të jenë objektive, të bazuara në shkencë dhe që synojnë nxitjen e mirëkuptimit dhe pajtimit midis komuniteteve të ndryshme të Bosnjës.

Melisa Foriq, ligjëruese në Universitetin e Sarajevës që është aktive në degën EuroClio në Bosnje – apo Shoqatës Evropiane të Ligjëruesve të Historisë – ka shkruar për problemet në arsim, sikurse prezantimi selektiv i fakteve, rritja e profilit të viktimave nga një grup, ndërkaq minimizimi apo injorimi i viktimave nga grupet tjera, dhe shmangia e fajësimit të anëtarëve të grupit të vet.

Ajo tha se problemi kyç, edhe në nivel akademik dhe historiografik, është se nuk ka konsensus për aspektet kryesore të luftës së Bosnjës. Një zgjidhje për interpretimet e njëanshme të njëanshme në kurrikula dhe tekste shkollore, tha Foriq, qëndron në dokumentacionin e gjerë për luftërat në Ballkan në vitet ’90, përfshirë edhe materiale nga Tribunali i Hagës.

“Në këtë rrugë – me një qasje ekskluzive, selektive e në të cilën ju ofrohen interpretime sipas dëshirave të atyre që hartojnë përmbajtjen edukative – nuk do të shkojmë larg”, tha Foriq.

Në qytetin verior, Doboj, në Republikën Sërspka, banorët në moshë madhore i thanë REL-it se debati rreth edukimit të fëmijëve rreth luftërave në vitet ’90 është ndër çështjet më të ndërlikuara me të cilat përballet shteti.

“Për një kohë të gjatë këtu nuk do të ketë një histori të përbashkët që do të pranohet nga të gjitha palët”, tha Cvijetin, i cili kërkoi që të mos i publikohej emri i plotë. “Është më mirë t’ia lëmë kohës sesa të tensionohet situata”.

Një tjetër banor lokal, Dino, tha se interpretimet e ndryshme janë recetë për telashe dhe madje sugjeroi se ato janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit.

Ai kërkoi që kjo çështje të bëhet e thjeshtë: “Në një faqe, në përgjithësi le të shkruhet se si nisi lufta, kur përfundoi, domethënë kur u nënshkrua armëpushimi. Çdo gjë tjetër do të shkaktojë probleme”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku