Prerje, gërvishtje, shenja në trup… Këto lëndime ia kanë shkaktuar vetes rreth 20 nxënës të tri shkollave fillore në Kosovë, të frymëzuar, siç thonë udhëheqësit e shkollave, nga videot në rrjetin social, TikTok.
Përderisa Policia e Kosovës është duke e trajtuar rastin, sociologët, Këshilli i Prindërve të Kosovës, por edhe drejtorët e shkollave po kërkojnë mobilizim dhe vetëdijesim mbi përdorimin e rrjeteve sociale.
SHIKONI EDHE: Pse të rinjtë kalojnë aq shumë kohë në TikTok?Shtatëmbëdhjetë nga këta nxënës vijojnë mësimin në shkollën “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë, ndërsa tre prej tyre vijojnë mësimin në shkollën “17 Shkurti”, në fshatin Gllogovc të Komunës së Lipjanit.
TikTok-u është aplikacion i popullarizuar për shpërndarjen e videove të shkurtra, kompania amë e së cilës, ByteDance, e ka bazën në Kinë. Në vitin 2021, TikTok-u është shpallur aplikacioni më i shkarkuar në botë, që përdoret nga të gjitha moshat, por të rinjtë janë shënjestra kryesore. Kjo ka rritur shqetësimet për sigurinë e tyre çdo ditë e më shumë.
Nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar se janë të informuar për këto raste, por pa dhënë detaje tjera, porse që janë “ndërmarrë veprimet e nevojshme”.
Si ndodhën rastet në Lipjan e Fushë Kosovë?
Drejtori i shkollës “17 Shkurti”, Mehmet Rashiti, në komunën e Lipjanit, tha për Radion Evropa e Lirë se në periudhën 14-20 maj, në shkollë janë evidentuar tri raste.
“Fillimisht, na ka njoftuar një prind, pastaj kemi bërë kontrolle të nxënësve dhe kemi vërejtur ato gërvishtjet ose prerjet në dorën e majtë te tre nxënës të klasave 6 dhe 7”, ka thënë ai.
Pas identifikimit, për këto raste janë njoftuar Policia e Kosovës, prindërit dhe Qendra për Punë Sociale. Rashiti shtoi se, po ashtu, është vendosur për kontrolle më të shtuara.
Në dy shkolla në Fushë Kosovë, rastet ishin evidentuar pak ditë më vonë, më 29 maj, kur edhe kujdestarja e klasës së gjashtë në shkollën “Mihal Grameno” kishte vërejtur se disa nga vajzat kishin shenja në pjesë të sipërme të duarve.
Fatlum Berisha, drejtor i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, tha se vajzat, pas takimit me kujdestaren, kanë pranuar se janë “inspiruar nga një video në TikTok”.
“Menjëherë i ka ftuar vajzat të bisedojnë se çfarë ka ndodhur me duart, në pjesën e sipërme të tyre, dhe në momentin që nxënëset i kanë treguar kujdestares, ajo është alarmuar, me urgjencë e ka njoftuar drejtorin e shkollës, i cili i ka kontaktuar aktorët e tjerë”, bëri të ditur ai.
Berisha tha se këto vajza kanë pranuar se janë vetëlënduar jashtë objektit të shkollës.
Your browser doesn’t support HTML5
Sabri Xhigoli, drejtor në shkollën “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se në shkollën e tij janë identifikuar katër raste të gërvishtjeve dhe një rast, ku gërvishtja nuk ka ndodhur me mjet të fortë, por me laps.
Xhigoli, tutje, ka treguar për masat që janë marrë pas këtij rasti. Sipas tij, është dakorduar të “rritet vigjilenca” e prindërve, e shkollës dhe e të gjithë aktorëve të tjerë komunalë dhe institucioneve të sigurisë e mjekësisë.
“Jemi në përcjellje, herë pas here edhe mund t’i kontrollojmë, por jo shpesh për shkak që nuk duam të shkaktojmë panik, ato raste janë duke u menaxhuar”, sqaroi ai.
Ai tha se vajzat të cilat janë lënduar, janë duke marrë trajtim, por që, sipas tij, kjo nuk është e mjaftueshme.
“Psikologia e shkollës është duke i trajtuar nxënëset, por duhet të mobilizohemi si shkollë, si prindër, Qendra për Punë Sociale, Policia dhe gjithë komuniteti që t’i paralajmërojmë për rreziqet e mundshme nga një dukuri e tillë, sepse për më shumë, si shkollë, nuk kemi kapacitet”, theksoi ai.
SHIKONI EDHE: Shqyrtohet ndalimi i TikTok-ut në KosovëEdona Kutleshi-Maliqaj, këshilltare për media e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, tha për Radion Evropa e Lirë se “MASHTI e ka marrë me shqetësim këtë informacion”.
Sipas saj, Ministria ka kërkuar që në të gjitha komunat të bëhet mobilizim për të rritur përkushtimin institucional dhe koordinimin me familjet për edukimin e mirë të fëmijëve.
“Ministria është hartuese e politikave dhe ka politika të qarta të mbrojtjes së fëmijës që duhet të zbatohen nga shkollat. Këto politika sanksionojnë abuzimin me teknologjinë, por edhe orientojnë përdorimin e sigurt dhe të dobishëm të teknologjisë informative. Veprimet bien mbi mekanizmat komunalë, shërbimet komunale”, tha ajo.
Ajo bëri të ditur se, aktualisht, Ministria është duke mbajtur seanca nëpër komuna mbi zbatimin e politikës së mbrojtjes së fëmijës nga çdo lloj rreziku që e dëmton zhvillimin e fëmijës.
Prindërit e këtyre fëmijëve nuk ishin të gatshëm të flisnin, por Visar Islami, nënkryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se duhet bërë më shumë për t’i informuar nxënësit për ndikimin negativ që kanë rrjetet sociale.
“Këtu duhet të angazhohen shumë institucione, primare duhet të jenë prindërit, të cilët duhet të punojnë më shumë me fëmijët, por megjithatë duhet punuar në shkolla, drejtoritë e arsimit, por edhe institucionet e sigurisë, Policia, duhet pasur një qasje më të madhe në rrjetet ku ata kanë mundësi t’i përcjellin”, tha Islami.
“Përpos familjes, edukim medial e fushata vetëdijesuese”
Sociologu Genc Xërxa thotë për Radion Evropa e Lirë se mbrojtja nga rrjetet sociale duhet të fillojë nga familja, por, sipas tij, kjo nuk është e mjaftueshme.
“...këtu mund të luajë rol edhe edukimi medial në raport të ngushtë me fushata vetëdijesuese edukativo-arsimore, mbi shëndetin, komunikimin dhe socializmin te të rinjtë”, vlerëson ai.
Përveç kësaj, Xërxa përmend edhe nevojën që ndikimi i rrjeteve sociale mbi fëmijët të parandalohet më herët.
“Duhet me kohë të zbulohen raste të tilla nga prindërit, institucionet edukativo-arsimore apo ku fëmijët frekuentojnë në baza ditore që me kohë, këshillues të lëmenjve përkatës – psikologë e sociologë t'i këshillojnë për pasojat dhe të këqijat që këto fenomene mund t’i shkaktojnë”, ka shton ai.
Mosocializimi, egoizmi dhe mbyllja më vete, janë po ashtu, sipas tij, pasojat e “zhytjes në kthetrat e rrezikshme të botës virtuale”.
“Fëmijët, pos lëndimeve fizike që ia bëjnë vetes, duke u bërë pjesë e lojës, ata do ta rëndojnë tej mase edhe shëndetin e tyre mendor, duke u larguar nga rutina dhe obligimet e tyre ditore, mësimet dhe aktivitetet tjera normale që përkojnë me moshën e tyre”, thekson ai.
SHIKONI EDHE: A është varësia nga interneti problem në rritje?“Sfidat” që morën jetë në SHBA, çfarë masa u morën pastaj?
Platforma TikTok, aktualisht në të gjithë botën ka 1.5 miliard përdorues aktivë në baza mujore.
Duke qenë një nga aplikacionet më të përdorura në botë, ‘sfidat’ e paraqitura në këtë aplikacion nga përdorues të ndryshëm, të cilat njerëzit tentojnë t’i bëjnë, shpeshherë kanë përfunduar në tragjedi.
SHIKONI EDHE: Sfida për video virale rrezikon jetën e të miturveNë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shtator të vitit 2022, për shkak të një sfide të njohur si “sfida e alivanosjes” apo “blackout challenge” dy fëmijë, një vajzë 9-vjeçare dhe një djalë 8- vjeçar kishin humbur jetën.
Kjo sfidë inkurajonte pjesëmarrësit të mbajnë kokën në qese derisa të humbasin vetëdijen.
Të dy familjet e viktimave kanë paditur kompaninë. Familja e vajzës ka paditur kompaninë nën arsyetimin se algoritmi i platformës promovoi sfidën e rrezikshme që rezultoi me humbjen e jetës për jetën vajzën e tyre. Ndërsa, familja e djalit nën arsyetimin se platforma nuk mbron fëmijët nga përmbajtja e dëmshme.
Pas këtij rasti, TikTok-u ka përmirësuar politikat e tij të kontrollimit të përmbajtjes, duke hequr sfidat e dëmshme nga platforma dhe pastaj edhe duke ofruar burime dhe qasje në linjat e ndihmës emocionale për ata që kanë nevojë.
Shkollat dhe komunitetet kanë shtuar përpjekjet për t’i edukuar prindërit dhe fëmijët për rreziqet që lidhen me sfida të tilla në internet, duke promovuar përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të rrjeteve sociale.