Vërshimet vdekjeprurëse në Pakistan kanë dëmtuar të paktën 888 objekte mjekësore, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Sipas saj, këto dëme do të vështirësojnë edhe më shumë reagimin ndaj krizës shëndetësore.
“Situata aktuale me vërshime ka mundësi që do të përshkallëzohet me përhapje të sëmundjeve, sidomos pas dëmeve të shkaktuara”, ka thënë OBSH-ja më 1 shtator.
Rënia e shirave në nivel rekord dhe shkrirja e akullnajave në rajonet malore në veri të Pakistanit, kanë nxitur vërshime, të cilat kanë lënë të vdekur 1.191 njerëz, përfshirë 399 fëmijë, sipas të dhënave qeveritare.
SHIKONI EDHE: Përmbytjet në Pakistan, qeveria shpall emergjencë kombëtareEkspertët shëndetësorë në Pakistan kanë paralajmëruar për mundësinë e shpërthimit të sëmundjeve infektive dhe viruseve tjera në zonat e prekura nga vërshimet.
Sipas tyre, rreth pesë milionë njerëz mund të sëmuren në javët në vijim nga diarreja, kolera dhe tifoja.
Ekspertët po ashtu parashikojnë përhapjen e malaries përmes mushkonjave.
Qeveria pakistaneze ka thënë që më shumë se 33 milionë njerëz – apo 15 për qind e popullsisë prej 220 milionë banorësh – janë prekur nga vërshimet.
Disa besojnë se një e treta e shtetit është aktualisht nën ujë.
Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për ndihmë në vlerë të 160 milionë dollarëve.
OBSH-ja ka thënë që më shumë se 6.4 milionë njerëz kanë nevojë të madhe për ndihmë.