Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, ka njoftuar më 21 janar se pas ndaljes së reshjeve të shiut, situatë është e qetë, teksa shtoi se po bëhen intervenime të ndryshme në zona të caktuara.
Si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm të nisura më 19 janar, disa qytete në Kosovë janë përballur me vërshime.
Nga vërshimet më të prekura janë komunat: Skenderaj, Mitrovicë e Jugut dhe Istog.
Vërshimet kanë dëmtuar ekonomi familjare, biznese, kultura bujqësore dhe infrastrukturën rrugore.
Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, sipas MBP-së, është duke vazhduar angazhimin me pompa për largimin e ujit në shtëpitë dhe në zonat ku ka pasur përmbytje nga vërshimet.
“Aktualisht po intervenohet edhe në infrastrukturën e prekur nga vërshimet në mënyrë që shërbimet dhe qarkullimi për qytetarët të normalizohet. Në fokus vazhdojnë të jenë kërkesat dhe nevojat e familjeve që janë evakuuar dy ditët e fundit”, thuhet në njoftimin e MBP-së.
Your browser doesn’t support HTML5
Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet se do të vazhdojë koordinimin ndër-institucional me qëllim të reagimit në rastet e nevojshme dhe ndaj kërkesave të mundshme që do i pranojë nga komunat dhe nga qytetarët.
Policia e Kosovës tha se për shkak se ende ka të reshura të dobëta shiu, niveli i ujit në lumenj është ende i lartë, prandaj ka vazhduar monitorimin e situatës.
“Sipas raportimeve të sotme, nivel më të shtuar të ujërave si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit ka në pjesën veriore dhe veri-perëndimore të vendit”, u tha në njoftim.
Sipas Policisë, në rajone të tjera nuk ka lumenj që kanë dalë nga shtrati dhe nuk është raportuar për vërshime.
Instituti Hidrometerologjik i Kosovës më 20 janar ka njoftuar se situata e përgjithshme hidrometeorologjike në pjesën më të madhe të vendit, ditëve të fundit është përkeqësuar, si pasojë e reshjeve intensive të shiut.
Sipas Institutit reshjet e shiut me intensitet të ndryshuar, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim deri më 25 janar.
Shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.
Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave.