Biden: I qëndroj vendimit për tërheqje nga Afganistani

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka mbrojtur vendimin e tij për tërheqje nga Afganistani duke thënë se “misioni asnjëherë nuk ka pasur për qëllim shtet-ndërtimin”.

"Jam shumë i trishtuar me faktet me të cilat përballemi tani, por nuk më vjen keq për vendimin tim për t'i dhënë fund luftës në Afganistan", tha Biden në një fjalim drejtuar kombit më 16 gusht.

"Amerikanët nuk mund dhe nuk duhet të vdesin dhe të luftojnë në një luftë që afganët nuk janë të gatshëm të luftojnë për veten e tyre", tha presidenti Biden. Ai shtoi se interesi kombëtar i Shteteve të Bashkuara në Afganistan ishte gjithmonë kryesisht në parandalimin e sulmeve terroriste.

Presidenti amerikan tha se qeveria afgane nuk arriti të dëgjojë këshillën e tij dhe të negociojë një zgjidhje politike me talibanët, duke shtuar se kolapsi i qeverisë afgane ndodhi shumë më shpejt sesa që kishte pritur administrata e tij.

Kaosi në aeroportin e Kabulit

Kjo është paraqitja e parë e presidentit amerikan, Joe Biden që kur talibanët morën kontrollin e kryeqytetit të Afganistanit, Kabul.

Talibanët kanë deklaruar se Afganistani është në kontrollin e plotë të tyre, pasi ata morën pallatin presidencial më 15 gusht, vetëm pak orë pasi presidenti Ashraf Ghani iku nga vendi. Militantët islamikë nuk hasën në rezistencë derisa rimorën kontrollin, dy dekada pasi u rrëzuan nga forcat e huaja, të udhëhequra nga SHBA-ja. Në aeroportin e Kabulit të hënën kanë shpërthyer skena kaotike, pasi qindra njerëz përpiqeshin të iknin nga vendi.

Presidenti amerikan tha se operacionet për evakuimin e personelit amerikan dhe punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat amerikane janë duke vazhduar.

Biden tha se talibanëve iu është bërë e qartë që "nëse ata sulmojnë personelin tonë ose ndërpresin operacionin tonë përgjigja e SHBA-së do të jetë e shpejtë dhe e fuqishme".

"Nëse është e nevojshme do t'i mbrojmë njerëzit me forcë shkatërruese", tha Biden.

SHIKONI EDHE: Bota të bashkohet ndaj kërcënimit në Afganistan, thotë Guterres

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet terroriste të 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.