Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar nuk mund të kthehet prapa. Pavarësisht kundërshtimeve nga opozita, por edhe një pjesë e shoqërisë civile, sipas ekspertëve ligjorë, mënyra e vetme për të rregulluar çështjen e pagave mbetet miratimi i Ligjit për pagat e zyrtarëve të lartë.
Florent Spahija, ekspert ligjor nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi i Kosovës një ligj të tillë mund të bëjë në mënyrë të përshpejtuar.
“Që të ndryshohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, mundësia e vetme do të thosha është miratimi i Ligjit për pagat e zyrtarëve të lartë. Me ligj, Kuvendi do të kufizonte ose do të miratonte vendimin e Qeverisë dhe do të vepronte në atë mënyrë që ligji do të kufizonte pagën e kryeministrit, ministrave, zëvendësministrit, zyrtarëve të lartë qeveritarë apo zyrtarëve të tjerë qeveritarë që me vendimin e Qeverisë kanë përfituar nga rritja e pagave".
“Në këtë rast, Kuvendi mundet në çdo kohë edhe me iniciativa ligjore që mund të vinë nga deputetet e opozitës, deputetë tjerë apo vetë Ministria e Financave të mund të bëjë një iniciativë të tillë ligjore dhe në mënyrë të përshpejtuar të miratohet një ligj i tillë kaq i rëndësishëm për Kosovën”, thotë Spahija.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, mori vendim që t’ia rrisë pagat kabinetit qeveritar. Vendimi u pezullua për disa muaj, derisa Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi më 11 qershor se ai nuk është jokushtetues.
Sipas këtij vendimi, paga e kryeministrit nga 1,500 euro sa ka qenë, do të bëhet 2,950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1,300 euro, në 2,500 euro.
Paga e një ministri ka qenë rreth 1,200 euro, ndërkaq, sipas këtij vendimi, do të jetë 2,000 euro. Kurse, mbi 70 zëvendësministra, të emëruar në Qeverinë Haradinaj, do të pranojnë pagë mujore nga 1,150 euro.
Vendimi për rritjen e pagave ka marrë tashmë edhe një interpretim nga Gjykata Kushtetuese, e cila pavarësisht pretendimeve të opozitës nuk e kishte cilësuar atë si jokushtetues.
(Video nga arkivi: Qytetarët i kishin dhuruar kryeministrit Haradinaj këmisha e kravata, pasi ai vendosi që ta rrisë pagën e tij)
Your browser doesn’t support HTML5
Ky vendim, shton Spahija nuk ka ku të kontestohet apo si të kontestohet meqë Gjykata Kushtetuese shton ai, vepron dhe gjykon në bazë të Kushtetutës është autoriteti përfundimtar i cili jep vendim në një çështje të caktuar.
“Megjithatë, gjithsesi nuk do të thotë që vendimi i Qeverisë në rastin e pagës është i ligjshëm mund të jetë vendim kushtetues dhe mund të jetë vendim i bazuar në Kushtetutë, por mund të mos jetë i ligjshëm dhe mund ta prek me ndonjë ligj tjetër i cili mund të ndikojë që dikush të dërgojë vendimin në një instancë tjetër, në këtë rast në gjykatë përmes prokurorisë dhe në këtë rast do të kontestohej vendimi i Qeverisë, por jo i Gjykatës Kushtetuese”, thotë Spahija.
Vendimi për rritjen e pagave ka hasur në mospajtime në mes kryeministrit Haradinaj dhe ministrit të Financave Bedri Hamza, i cili ka refuzuar të marrë pagën me rritje.
Kryeministri Ramush Haradinaj e ka cilësuar të pakuptimtë qëndrimin e ministrit Hamza, derisa ka theksuar se vendimi për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar do të jetë i përkohshëm, deri në miratimin e ligjit për nivelimin e pagave.
Reagime për vendimin e Qeverisë së Kosovës ka pasur edhe nga shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova. Ajo kishte deklaruar se vendimi për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar në Kosovë duhet të tërhiqet dhe të pritet miratimi i Ligjit të ri për pagat.
Reagime për vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritje të pagave ka pasur edhe nga shoqëria civile dhe partitë opozitare. Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se kanë nisur të hartojnë kallëzimin penal lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar.