Vendi sekret ku Stasi i Gjermanisë Lindore përsosi Murin e Berlinit
Një automjet përplaset me një pengesë çeliku në një vend të fshehtë në Gjermaninë Lindore, ku u testuan pengesat që do të parandalonin njerëzit që shpejtonin drejt lirisë nëpër pikat e kontrollit të Berlinit Lindor.
Kjo foto e vitit 1980 është një nga disa të tjera të ruajtura në Arkivin e të dhënave të Stasi-t [Sigurimit Shtetëror]. që zbulon se sa kohë kaluan autoritetet e Gjermanisë Lindore për t'u siguruar që kushdo që përpiqej të shpëtonte nga shteti komunist, do të ndalohej ose vritej gjatë përpjekjeve.
Pasojat e nga testimi i pengesave në objektin sekret të Gjermanisë Lindore.
Kreu i kërkimit në Fondacionin e Murit të Berlinit, dr. Gerhard Salter, i tha Radios Evropa e Lirë se këto foto janë bërë në një vend në Gjermaninë Lindore të mbështetur nga sovjetikët, i cili vazhdon të mbetet sekret edhe sot e kësaj dite. "Ne kemi skedarë nga Arkivat Federale që përmendin [vendet e testimit], por nuk dimë asgjë më shumë rreth tyre", tha ai.
Një çift duke shikuar përtej murit në Berlinin Lindor në prill 1983.
Salter tha se testimi i barrierave kundër automjeteve ishte vetëm një pjesë e përpjekjes së gjerë kërkimore dhe zhvillimore për t'i bllokuar njerëzit brenda shtetit policor. Vetë struktura e Murit të Berlinit, thotë ai, u sprovua "për rezistencën e tij ndaj sulmeve me automjete, eksplozivë dhe se si do t'u rezistonte fenomeneve natyrore, si p.sh. larja nga uji gjatë reshjeve të mëdha".
Një kamion para një pengese në objektin e kërkimit sekret.
Harald Jager, një ish-nënkolonel i Stasi-t, u tha gazetarëve gjermanë në vitin 2010: "Sa herë që kufiri shkelej [nga dikush që arratisej] ai pasohej nga një analizë. Kjo është arsyeja pse Ministria e Sigurimit të Shtetit formoi grupe pune për të projektuar objekte të përmirësuara teknologjikisht , të cilat më pas u testuan".
Ky rrjet armaturash me maja të mprehta ishte një nga shumë tilla e të panumërta të vendosura përkrah Murit të Berlinit nga mesi i viteve 1960, i projektuar për të shpuar këpucët e gjermanëve lindorë që ikin. Ky seksion i "Lëndinës së Stalinit" është ruajtur në një muze të Fondacionit të Murit të Berlinit.
Përpjekjet për t'i parandaluar njerëzit që të iknin nga "socializmi real ekzistues", ishin betejë e vazhdueshme për autoritetet e Gjermanisë Lindore pasi qytetarët shpiknin mënyra të reja për të ikur drejt lirisë.
Ky kamion u përplas në një pjesë të Murit të Berlinit në shkurtin e vitit 1989. Tre gjermanolindorë që ishin brenda, u hodhën jashtë të veshur me kostume zhytjeje dhe u hodhën në lumin Spree. Dy prej tyre notuan me sukses në Berlinin Perëndimor, ndërsa i treti u kap nga një varkë patrullimi gjermanolindore dhe u burgos.
Një veturë duke lëvizur drejt një rreshti thumbash ndërsa një tjetër pllakë me shpuese gomash pritet për t'u provuar në objektin e provës sekrete të Stasit më 1980.
Një imazh nga arkivat e Stasit, me sa duket, tregon një përpjekje të dështuar për të kaluar nëpër një pikë kufitare nga Gjermania Lindore më 1982.
Mijëra njerëz mundën të arratiseshin nga Berlini Lindor drejt lirisë, por të paktën 140 u vranë në përpjekje e sipër përgjatë dekadave sa qëndroi muri, nga viti 1961 deri më 1989.
Të afërmit e Chris Geoffroyt, në mesin e tyre është edhe nëna e tij, Karina [përpara djathtas[, duke marrë pjesë në funeralin e tij në Berlinin Lindor.
Geoffrey ishte personi i fundit që u qëllua për vdekje derisa përpiqej të ikte nga Berlini Lindor pasi bëri një vrapim të vrullshëm drejt murit në shkurt të vitit 1989. Muri i Berlinit u rrëzua, duke i dhënë fund mbretërimit të regjimit komunist të Gjermanisë Lindore, më 9 nëntor 1989.