Vdiq ish-ylli i One Direction, Liam Payne

Ish-këngëtari i grupit One Direction, Liam Payne.

Ish-këngëtari i grupit One Direction, Liam Payne, është gjetur i vdekur pasi kishte rënë nga ballkoni i katit të tretë të dhomës së tij në një hotel në Buenos Aires, tha policia argjentinase të mërkurën vonë.

Policia tha se ishte thirrur në hotelin CasaSur në lagjen Palermo të kryeqytetit pas raportimeve se “një burrë agresiv mund të jetë nën ndikimin e drogës dhe alkoolit”.

Kur oficerët mbërritën në vendngjarje zbuluan se një burrë kishte rënë nga ballkoni i dhomës së tij, tha ajo.

Pasi arriti famën botërore si pjesë e grupit shumë të njohur, Payne – sikurse pjesëtarët e tjerë të grupit Harry Styles, Zayn Malik, Niall Horan dhe Louis Tomlinson – e nisi pastaj karrierën solo pasi grupi vendosi të “pauzojë për kohë të papërcaktuar” më 2016.

SHIKONI EDHE: Forbes: Taylor Swift, One Direction me fitimet më të mëdha

Albumi i fundit i Payne ishte “Teardrop”, i publikuar në mars të këtij viti.

Derisa shumë hollësi për rrethanat nën të cilat vdiq ai mbesin të paqarta, Payne kishte folur publikisht për vështirësitë me shëndetin mendor dhe për përdorimin e alkoolit për ta përballuar trysninë e famës.

Vdekja e tij shkaktoi shumë pikëllim në mesin e yjeve dhe adhuruesve të industrisë së muzikës, përfshirë në mesin e një turme që ishte mbledhur pranë hotelit.

Violeta Antier tha se shkoi pranë hotelit pasi mori vesh se kishte vdekur Payne.

“E pashë atë para dy javëve në koncertin e Niall (Horan), një anëtar tjetër i One Direction. Ai ishte atje dhe dukej mirë”, tha ajo.

Adhuruesit ndezin qirinj pranë hotelit ku ish-këngëtari i One Direction, Liam Payne, u gjet i vdekur pasi u ra nga një ballkoni në Buenos Aires, Argjentinë, të mërkurën, 16 tetor 2024.

Payne ishte në koncertin e Horanit më 2 tetor në Buenos Aires.

Payne mori pjesë në garën muzikore X Factor në Britani për herë të dytë më 2010 në moshën 16-vjeçare, dhe ishte vendosur në një grup me ata që më vonë do të ishin pjesë e bendit të tyre nga manjati i muzikës, Simon Cowell.

One Direction zuri vendin e tretë në X Factor atë vit, por ia doli t’i ketë mbi 29 hite në 100 hitet më të mira të Billboardit, gjashtë prej të cilave në top 10-she, përfshirë “What Makes You Beautiful", "Story of My Life" and "Live While We're Young".

Payne bashkëpunoi me Rita Orën për këngën e vitit 2018 “For You”.

Sipas Celebrity Net Worth, Payne i fitoi mbi 70 milionë dollarë nga karriera e tij muzikore.