Vdes ushtari polak që ishte therur nga një emigrant në kufirin bjellorus

Një ushtar polak patrullon përgjatë murit metalik në kufirin e Polonisë me Bjellorusinë. (Fotografi nga arkivi)

Një ushtar polak, i cili ishte therur nga një emigrantë në kufirin me Bjellorusinë, ka vdekur të enjten, njoftuan autoritetet polake.

Ushtari, i identifikuar vetëm me emrin Mateusz, ishte therur pesë herë përmes gardhit metalik pesë metra të lartë derisa po e patrullonte kufirin, sipas mediave lokale.

Ushtria polake raportoi për dy sulme të tjera ndaj trupave të saj në kufi javën e kaluar. Njëri ushtar pësoi plagë nga therja me thikë të ngjitur në një shkop dhe një tjetër pësoi lëndime në fytyrë pasi u sulmua me një shishe të thyer.

SHIKONI EDHE: Polonia do ta kthejë zonën neutrale në kufi me Bjellorusinë, thotë Tusk

Polonia e ka akuzuar Rusinë se po e orkestron fluksin e emigrantëve drejt Polonisë përmes aleatit të Kremlinit, Bjellorusisë.

Në fund të majit, kryeministri polak Donald Tusk tha se Qeveria e tij do ta kthejë zonën neutrale 200 metra të gjatë në kufi me Bjellorusinë në javën e parë të qershorit.

Në javët e fundit është rritur numri i emigrantëve që kanë tentuar ta kalojnë jashtëligjshëm kufirin, ndërsa rojet kufitare kanë raportuar për një numër incidentesh të dhunshme.

Përpjekje të vazhdueshme në kufirin e Polonisë për t'i zmbrapsur migrantët që nis Bjellorusia

Polonia synon t’i shpenzojë 2.55 miliardë dollarë për forcimin e kufirit me Bjellorusinë.

Javë më parë, ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaë Kosiniak-Kamysz, tha se Polonia është e gatshme ta rrisë numrin e trupave në kufi nga 5.500 sa ka tani, por nuk tregoi se sa saktësisht.