Vdes një punëtor i kompleksit metalurgjik “Trepça”

Brenda minierës në Trepçë. Fotografi nga arkivi.

Policia e Kosovës ka konfirmuar të hënën vdekjen e një punëtori të kompleksit metalurgjik “Trepça” në ambientet e ndërmarrjes.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Bazuar në hetimet fillestare dyshohet se viktima ka rënë nga një lartësi në ambientet e punës.

“Policia ka pranuar informatën se në vendin e tij të punës, brenda kompleksit industrial ‘Trepça’, është gjetur pa shenja jete viktima mashkull, 58-vjeçar. Hetuesit policorë, me autorizim të prokurorit, kanë nisur hetimet për identifikimin dhe zbardhjen e rrethanave të rastit”.

SHIKONI EDHE: A mund të ringjallen Telekomi dhe Trepça nga Fondi Sovran?

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ka thënë mes tjerash Zahiti.

Kompleksi metalurgjik Trepça gjendet në Komunën e Mitrovicës dhe ka rreth 1.300 punëtorë.

Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

Pasuria e ‘ndryshkur’ e Trepçës

Trepça është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.