Një futbollist 17-vjeçar i klubit kosovar “Trepça ’89” ka ndërruar jetë gjatë një ndeshje futbolli, bëri të ditur Federata dhe klubi nga Mitrovica.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, tha se futbollisti, Erion Kajtazi, ishte pjesë edhe e ekipeve të grupmoshave të Kombëtares së Kosovës.
“Erioni ndërroi jetë në fushën e gjelbër, aty ku filloi ta jetësonte ëndrrën e tij për t’u bërë një futbollist i madh, me të cilin do të krenohej jo vetëm familja, por edhe i gjithë kombi”, shkroi Ademi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.
Ndërkaq, klubi “Trepça ’89” thanë se nuk do të harrojnë futbollistin, që kishte nisur karrierën në këtë ekip.
“Ne planifikuam që në një të ardhme të afërt të realizojmë transferimin tënd në Evropë”, thuhet në postimin e këtij klubi.
Futbollisti Kajtazi vdiq gjatë një ndeshjeje futbollistike që po zhvillohej në Prizren dhe, sipas mediave lokale, dyshohet se ka pësuar sulm në zemër.