Vdes lideri i Kuvajtit Nawaf al-Ahmed në moshën 86-vjeçare

Lideri i Kuvajtit, sheiku Nawaf al-Ahmad al-Jaber al-Sabah.

Lideri i Kuvajtit, sheiku Nawaf al-Ahmad al-Jaber al-Sabah, ka vdekur në moshën 86-vjeçare, ka bërë të ditur televizioni shtetëror i Kuvajtit.

Sheiku e ka udhëhequr Kuvajtin e pasur me naftë, vetëm tre vjet, pasi e ka marrë pushtetin prej gjysmëvëllait të tij, sheikut Sabah al-Ahmed al-Sabah.

“Me pikëllim të thellë njoftojmë për vdekjen e sheikut Nawaf al-Ahmad al-Sabah", është thënë përmes një deklarate të publikuar në kanalin televiziv.

Sheiku Nawaf është emëruar princ kurore më 2006 dhe e ka marrë detyrën e emirit më 2020.

Ai ka shërbyer paraprakisht si ministër i Mbrojtjes dhe ministër i Brendshëm.

Emiri i ri i Kuvajtit është shpallur princi i kurorës, sheiku Meshal al-Ahmad al-Jaber Al-Sabah.

Kuvajti – i cili ka popullsi prej 4.8 milionë banorëve, përfshirë 3.4 milionë punëtorët e huaj – është shteti i gjashtë më i madh në botë për rezerva të naftës, dhe është aleat i madh i Shteteve të Bashkuara.

Parlamenti i këtij shteti ka më së shumti kompetenca në gjithë vendet e Gjirit, dhe opozita kritikon hapur liderët.

Megjithatë, familja në krye të fronit ka kontroll të plotë mbi pozitat ekzekutive dhe emirët kanë fjalën e fundit në çështjet politike.

Emiri i shtetit ka pushtet edhe që të shpërbëjë strukturën parlamentare dhe të shpallë zgjedhje të reja.