Vdekja e supozuar e Prigozhinit, “mesazh” për rebeluesit e mundshëm

Një protestues me një maskë fytyre të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, gjatë një proteste në Londër: "Putini është vrasës", 20 gusht 2023.

Pasi themeluesi i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, e udhëhoqi një kryengritje jetëshkurtër këtë verë, e cila ka përbërë sfidën më të madhe ndaj sundimit 24-vjeçar të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, shumë ekspertë thanë se njeriu i brendshëm miliarder i Kremlinit ishte futur tashmë në shënjestër.

Derisa trupat e Prigozhinit marshuan drejt Moskës më 24 qershor, duke kërkuar ndryshime në lidershipin e ushtrisë në një kohë humbjesh së mëdha dhe dështimeve serioze në luftë kundër Ukrainës, Putini e quajti veprimin e tyre “tradhti” dhe e krahasoi atë me ngjarjet më të rëndësishme të Luftës së Parë Botërore që çuan në rënien e Perandorisë Ruse.

“Mesazhi që Putini po përpiqet ta dërgojë është: ‘As mos t’ju shkojë mendja të rebeloheni. Prigozhini, në fund, nuk shpëtoi pa u lagur. Pra, fati juaj do të jetë sikur fati i tij, nëse tentoni të bëni ndonjë marrëzi të tillë.”
– Mark Katz, Universiteti George Mason.

Putini ka thënë në të kaluarën se gjëja e vetme të cilën ai nuk mund ta falë dot është tradhtia, dhe ai e përsëriti këtë gjatë kryengritjes, duke paralajmëruar se “ata të cilët me vetëdije e zgjedhin rrugën e tradhtisë... do ta vuajnë një ndëshkim të pashmangshëm”.

Prandaj, kur një avion privat, me Prigozhinin në listën e udhëtarëve, u rrëzua në një fushë në veriperëndim të Moskës, më 23 gusht, – duke i lënë të vdekur të gjithë 10 njerëzit në bord, sipas autoriteteve të Aviacionit të Rusisë – e vetmja befasi për disa ekspertë ishte sa shpejt ndodhi, saktësisht dy muaj pas rebelimit jetëshkurtër.

“Është goxha e thjeshtë”, tha për Radion Evropa e Lirë Maria Snegovaya, analiste ruse në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me bazë në Uashington. “Ai bëri diçka që ishte tabu. Ai do të vritej herët apo vonë, dhe këtë herë ndodhi shumë shpejt”.

Avioni Embraer Legacy 600, i grupit Wagner, po fluturonte nga Moska drejt vendlindjes së Prigozhinit, Shën Peterburg, kur ra nga qelli pak pas orës 18:00, duke marrë flakë nga ndikimi i rrëzimit në një fushë.

Një ditë më vonë, nuk pati konfirmim zyrtar se Prigozhin, 62 vjeç, ishte në mesin e të vdekurve.

Your browser doesn’t support HTML5

Yevgeny Prigozhin: Nga "kuzhinieri i Putinit" në mercenar të paskrupull

Shkaktari i rrëzimit të tij nuk u bë i ditur menjëherë, por ka nisur një hetim për këtë. Nuk ka informacione nëse ekipet e shpëtimit e kanë gjetur kutinë e zezë të avionit, e cila mund të japë hollësi nëse rrëzimi ndodhi nga ndonjë gabim i pilotit, ndonjë gabim teknik apo bombë, ose nëse ndonjë raketë e ka rrëzuar atë.

Putini, i cili ishte duke iu dhuruar medalje ushtarëve në kohën kur ndodhi rrëzimi i avionit më 23 gusht, në fjalimin e tij të parë që prej rrëzimit vdekjeprurës të avionit, i shprehu ngushëllime familjes së liderit të grupit mercenar.

“Ai [Prigozhin] ishte njeri i talentuar”, tha Putini më 24 gusht, duke e quajtur “tragjedi” rrëzimin e avionit një ditë më parë në veri të Moskës, pa dhënë ndonjë hollësi nëse besonte se lideri mercenar kishte qenë në avion.

SHIKONI EDHE: Putini tërthorazi konfirmon vdekjen e Prigozhinit, i shpreh ngushëllime familjes së tij

Sulmi me raketë do të ishte tejet simbolik, pasi forcat e Prigozhinit e kishin rrëzuar një avionë luftarak gjatë rebelimit, duke i vrarë më shumë se 10 ushtarë rusë.

E vërteta mund të mos dihet kurrë. Kritikët thonë se nën udhëheqjen e Putinit, autoritetet ruse nuk kanë kryer hetime të plota të ngjarjeve që lidhen ngushtë me Kremlinin, apo edhe i kanë fshehur rezultatet e hetimeve të tilla. Sidoqoftë, rusët do t’i grumbullojnë informacionet, thonë ekspertët.

“Mendoj se shumë njerëz do të hamendësojnë se ky nuk është aksident, se ky është një tjetër shembull sesi Putini i heq qafe njerëzit që janë problematikë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Mark Katz, profesor i shkencave politike në Universitetin George Mason.

Në fund të korrikut, pas kryengritjes së Wagnerit, Katz tha për Radion Evropa e Lirë se ka gjasa të mëdha se Prigozhin do të vritej brenda pak muajve.

Prigozhin u shfaq në një video të publikuar më 21 gusht, që më gjasë u xhirua në Afrikë.

Derisa Kremlini e mohon çfarëdo përfshirje, rrëzimi i avionit do t’ua dërgojë një mesazh të qartë atyre të cilët janë të pakënaqur me mënyrën sesi po e udhëheq Putini luftën në Ukrainë, tha Katz më 23 gusht.

“Mesazhi që Putini po përpiqet ta dërgojë është: ‘As mos t’ju shkojë mendja të rebeloheni. Prigozhini, në fund, nuk shpëtoi pa u lagur. Pra, fati juaj do të jetë sikur fati i tij, nëse tentoni të bëni ndonjë marrëzi të tillë”, tha ai.

Fillimisht, u duk sikur Prigozhini do të shpëtonte pa u lagur pas asaj që shumë vazhdues thanë – edhe pse ai kishte thënë se cak i tij ishin udhëheqësit e ushtrisë – se ky ishte sulmi më i guximshëm ndaj autoritetit të Putinit qëkur ish-oficeri i agjencisë ruse për siguri, KGB, erdhi në pushtet më 1999.

U duk se lideri mercenar lëvizte lirshëm nëpër Rusi dhe Bjellorusi në ditët pas kryengritjes dhe madje u shfaq edhe në prapaskenat e Samitit Rusi-Afrikë që Putini e organizoi në Shën Peterburg në fund të korrikut, duke lënë përshtypje se ata i kishin zgjidhur mosmarrëveshjet.

Për shumë njerëz, përfshirë për disa në elitën e Rusisë, kjo gjoja shpirtbutësi ishte shenjë e dobësive të Putinit. Kritikët e profilit të lartë të Putinit kanë pasur fat të tmerrshëm në shumë raste, duke u vrarë nga plumbat apo nga helmimet toksike.

SHIKONI EDHE: Rusët që vdiqën pas përplasjeve me Kremlinin

Megjithatë, të tjerët thanë se Putini ishte thjesht duke e pritur çastin e duhur, duke pritur që kryengritja të zhdukej nga ballinat e mediave për të marrë hak. Gjoja pajtimi mes tyre i ofron Kremlinit, po ashtu, një lustër mohimi të rrëzimit të avionit.

Rëndësia dhe pasuria e madhe e Prigozhinit u rritën në vitet 2010 falë afërsisë së tij me Putinin, megjithëse natyra e saktë e lidhjes së tyre personale mbetet e paqartë.

Në vitin 2022, kur Rusia po vuante të zitë e ullirit në pushtimin e Ukrainës, Prigozhini i çoi forcat e tij Wagner në vijën e frontit dhe u duk se po arrinte sukses më të madh se vetë ushtria e rregullt ruse, duke e pushtuar qytetin e Donbasit në Bahmut, në maj, pas shumë muajve luftimesh tejet vdekjeprurëse.

Përgjatë disa muajve, Prigozhini i dha vetes mundësinë për ta kritikuar ashpër lidershipin e ushtrisë ruse dhe e siguroi mbështetjen e shumë propagandistëve pro-luftës, blogerëve dhe nacionalistëve në ardhje – njerëzve të cilët e përkrahin pushtimin por mendojnë e Moska po e kryen atë keq dhe dobët.

Ai madje shfaqi edhe ambicie politike.

Kur e nisi kryengritjen më 23 qershor, pas shumë thirrjeve për shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes të Rusisë, Sergei Shoigu, dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Valery Gerasimov, trupat e tij s’u përballën me qëndresë të madhe teksa iu afruan Moskës 200 kilometra, duke ngritur pyetje rreth besnikërisë dhe shkallës së përkrahjes për Kremlinin në mesin e anëtarëve të ushtrisë dhe shërbimeve të sigurisë, të cilët janë të pakënaqur me përparimin e luftës.

SHIKONI EDHE: I burgosur, sipërmarrës, mercenar: Ulje-ngritjet e Prigozhinit në Rusi

Disa ditë para rrëzimit të avionit, Bloomberg News raportoi se nga shërbimet e sigurisë janë duke bërë trysni për kërkesat e njëjta si të Prigozhinit; duke bërë thirrje për një lidership të ri ushtarak dhe përshkallëzim të luftimeve.

Putini i lejoi fillimisht blogerët pro-luftës dhe nacionalistët ta kritikonin lidershipin e tij ushtarak, madje edhe derisa i burgosi aktivistët kundër luftës. U duk se kryengritja e Prigozhinit tregoi qartazi se ai i kishte lejuar gjërat të shkonin shumë larg.

“Nacionalistët ishin të dobishëm një kohë dhe tani ata nuk janë aq zbavitës më, dhe ai duhet të merret edhe me ta”, tha Katz.

Igor Girkin, një nacionalist i tërbuar dhe komentator pro-luftës, i cili e quajtur Putinin “qyqar i padobishëm”, në një postim në Telegram ku ndiqet nga 800.000 njerëz, u arrestua muajin e kaluar. Arrestimi i tij u pa si një paralajmërim për kritikat e tij.

Vdekja e Prigozhinit, nëse konfirmohet – apo qoftë edhe zhdukja e tij nëse ai nuk shfaqet më – do ta bëjë të njëjtën.

“Kjo ka të bëjë me rimarrjen e kontrollit në një mënyrë shumë demonstrative. Po guxuat ta sfidoni shefin, kjo do t’ju ndodhë. Është goxha njëfarë situate si e kumbarës. Kështu funksionon sistemi”, tha Snegovaya.

Ekspertët, po ashtu, thanë se vdekja e Prigozhinit ia jep Putinit një mundësi të re për ta çmontuar pothuajse një monopol që Wagneri e kishte si grup mercenar rus, dhe t’i kthejë pjesët e tij nën kontroll më të madh të Kremlinit për ta parandaluar nga ndonjë kërcenim tjetër.

Prigozhini mori shumë pushtet në dorë duke i vendosur forcat e Wagnerit në shumë shtete të Afrikës dhe të Lindjes së Mesme.

“Ky është hapi i parë i madh i Putinit për ta rimenduar sesi mund ta përdorë infrastrukturën operacionale që e ka ndërtuar Wagneri në një mënyrë që të vazhdojë t’i çojë përpara synimet ruse, duke qenë njëkohësisht më besnik ndaj tij”, tha Catrina Doxsee, një eksperte në CSIS, e cila i analizon kërcënimet transnacionale, përfshirë grupet mercenare.

Megjithatë, ajo tha se mbetet të shihet sesi do të reagojë grupi Wagner ndaj ndryshimeve në udhëheqje, duke qenë se Prigozhini gëzonte “shumë besnikëri”.

Përgatiti: Ekrem Idrizi