Vazhdojnë sulmet ukrainase në rajonin kyç jugor

Një ushtar ukrainas në rajonin e Zaporizhjas.

Sulmet ukrainase në rajonin jugor të Zaporizhjas, janë duke vazhduar, kanë thënë zyrtarë rusë dhe blogerë ushtarakë pro Kremlinit.

Ata janë duke raportuar për luftime të ashpra në atë zonë.

Sipas tyre, trupat ushtarake ukrainase – të përkrahura nga tanket, artileria dhe dronët – janë duke tentuar të avancojnë në jug të qytetit Orikhiv, për të dytën natë me radhë.

Një zyrtar i lartë ukrainas ka thënë se armiku është në “mbrojtje aktive”.

Disa ekspertë ushtarakë kanë thënë se fokusi i kundërofensivës së shumëpritur ukrainase do të jetë në Zaporizhja.

SHIKONI EDHE: Kuleba: Ukraina ka mjaftueshëm armë për kundërofensivën ndaj Rusisë

Ata argumentojnë se Kievi është duke tentuar të rikthejë qasjen në Detin Azov, për t’i ndarë forcat pushtuese ruse në atë rajon, në dy grupe.

Diçka e tillë, jo vetëm që do t’i dobësonte kapacitetet ushtarake të Rusisë, por edhe do t'ia eliminonte qasjen në urën që çon në Krime – gadishullin ukrainas të aneksuar nga Rusia, më 2014.

Më herët gjatë së enjtes, Instituti për Studime të Luftës, me bazë në SHBA, ka thënë se kundërofensiva ukrainase ka nisur, ndonëse Kievi nuk konfirmon diçka të tillë.

Ndërkohë, Ministria britanike e Mbrojtjes, ka thënë se në luftimet e ashpra janë duke u zhvilluar në disa fronte të luftës.

Sipas saj, “në shumicën e zonave, iniciatore është Ukraina”.

Rusia e ka pushtuar pjesën më të madhe të rajonit Zaporizhja – përfshirë edhe centralin më të madh bërthamor të Evropës – pak pasi presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhër për nisjes së luftës, në shkurt të vitit 2022.

SHIKONI EDHE: IAEA: Ukraina e Rusia të shmangin katastrofën bërthamore në Zaporizhja

Kryeqyteti rajonal, qyteti i Zaporizhjas, kontrollohet nga Ukraina.

Ukraina është duke e planifikuar kundërofensivën që disa muaj, mirëpo ka pritur sa më shumë që ka qenë e mundur, për t’i trajnuar trupat ushtarake dhe për të pranuar pajisje të avancuara ushtarake nga aleatët perëndimorë.

Muajin e kaluar, Oleksiy Danilov, sekretar i Këshillit për Siguri Kombëtare dhe Mbrojtje të Ukrainës, ka thënë se Kievi është i gatshëm të nisë kundërofensivën – por pa përmendur ndonjë datë specifike.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.