Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka konfirmuar se këtë javë, në Bruksel do t’i takojë presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçin dhe Aleksandar Vuqiçin, me të cilët do të bisedojë për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy vendeve.
“Mendoj se mundemi që deri në fund të këtij mandati (mandatit të Komisionit Evropian 2014 – 2019) do të arrijmë qëllimin në kërkim të hapave konkret dhe të rëndësishëm për secilin nga partnerët tanë ballkanikë në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Mogherini në një fjalim para ambasadorëve të vendeve të BE-së. Ajo ka thënë se pavarësisht disa momenteve të vështira gjatë këtij viti, vendet partnere të Ballkanit kanë dëshmuar vullnetin dhe dëshirën për përparime në rrugën drejt BE-së.
Pritet që takimi ndërmjet presidentëve Thaçi e Vuqiç të zhvillohet të enjten, më 31 gusht. Aty, pritet të diskutohet rreth modaliteteve për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të kishte obligime ndërkombëtare.
Presidentët Thaçi e Vuçiq, për herë të parë në cilësinë e shefave të shtetit janë takuar më 3 korrik në Bruksel, kur ishin pajtuar për një fazë të re të dialogut ndërmjet dy shteteve. Të dy presidentët ishin pajtuar edhe për ngritjen e ekipeve punuese të cilat do të përgatisin hyrjen e procesit në këtë fazë.
Thaçi e Vuçiq, patën theksuar pas takimit të 3 korrikut, ku ishte e pranishme edhe përfaqësuesja Mogherini se nevojitet një fazë e re e procesit të bisedimeve, që sipas lehtësuesit të tij, Bashkimit Evropian, ka si qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.
“Në takimin tre palësh jemi pajtuar që të ketë një fillim përgatitor për fazën e re të negociatave në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, që do të çonte drejt një normalizimi dhe pajtimi mes vendeve dhe popujve tanë”, kishte deklaruar presidenti Thaçi.
Me këtë fazë të re të dialogut, sipas tij, ”do të mbyllet kapitulli i errët i së kaluarës dhe do të hapet një perspektivë e sigurt për të ardhmen evropiane”.
Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar se nuk ka dyshim që dialogu do të vazhdojë në Bruksel, por jo vetëm dialogu që merret me temat e caktuara, por, siç ka thënë ai “do të kemi edhe dialog substancial rreth asaj se si i shohim ne marrëdhëniet pas 1, 2 apo 5 vjetësh”.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çështje teknike, ka nisur në mars të vitit 2011, për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.
Ndër marrëveshjet e para ka qenë ajo për Menaxhimin e integruar të kufirit apo për lëvizjen e lirë.
Kosova dhe Serbia, ndërkaq kishin arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013, e cila parasheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.