Vatra e vetme e rezistencës ndaj talibanëve
Prej kur talibanët e kanë vënë Afganistanin në kontroll, pas një operacioni të shpejtë drejt kryeqytetit, Kabulit, mijëra njerëz kanë mbërritur në Panxhshir, qoftë për t’iu bashkuar rezistencës, qoftë për të gjetur një strehë për vazhdimin e jetës.
Në Panxhshir, Ahmad Massoud – i biri i komandantit legjendar të muxhahedinëve, Ahmad Shah Massoud, i cili është vrarë nga Al-Kaida dy ditë para sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 – ka formuar një forcë luftarake prej rreth 9.000 personash, ka treguar zëdëhënësi i tyre, Ali Maisam Nazary, për AFP-në.
Fotografitë e shkrepura gjatë stërvitjeve shfaqin dhjetëra rekrutë duke kryer ushtrime të ndryshme për t'u përgatitur për ballafaqim me talibanët.
Në fotografitë e tjera shihen edhe disa automjete të blinduara “Humvee”, duke u endur nëpër luginën që ndodhet në verilindje të Kabulit.
Fronti Kombëtar i Rezistencës ka dy objektiva kryesorë: të parandalojë gjakderdhjen e mëtejshme në Afganistan dhe të nxisë kalimin e vendit në një sistem të ri të qeverisjes.
Por, sipas zëdhënësit Nazary, grupi është gjithashtu i përgatitur për konflikt, dhe nëse talibanët nuk negociojnë, ata do të përballen me rezistencë në mbarë vendin.
“Kusht për një marrëveshje për paqe me talibanët është decentralizimi – një sistem që garanton drejtësi, barazi, të drejta dhe liri për të gjithë”, ka thënë zëdhënësi i forcave të rezistencës.
Në Afganistan do të ketë "konflikt afatgjatë" nëse talibanët nuk pajtohen për paqe, kanë paralajmëruar forcat e rezitencës.
Teksa talibanët kanë në kontroll pjesën më të madhe të Afganistanit, zëdhënësi i Frontit Kombëtar të Rezistencës thekson, me optimizëm, se grupet lokale të luftëtarëve në disa distrikte tashmë kanë nisur rezistencën ndaj talibanëve dhe kanë nisur bashkëpunimin me forcat e Massoudit.
Qëllimi i rezistencës aktualisht është mbrojtja e Panxhshirit dhe e popullatës së tij, ka thënë zëdhënësi Nazary.
Përveç forcës luftarake të Massoudit, në Panxhshir aktualisht ndodhen mbi 1.000 persona të zhvendosur nga zona të ndryshme të Afganistanit, sipas zëdhënësit.
Një numër intelektualësh, aktivistësh për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe të drejtave të njeriut, dhe politikanësh, që “ndihen të kërcënuar nga talibanët”, tani po strehohen në Panxhshir, ka treguar Nazary.
Massoud ka kërkuar armatim nga Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet një thirrjeje të publikuar në Washington Post.
Nazary ka thënë se ata gjithashtu kanë nevojë për ndihmë humanitare për të ushqyer dhe për t’u përkujdesur për të ardhurit.
Sipas zëdhënësit Nazary, rezistenca e Massoudit, dhe të tjera nëpër Afganistan, janë jetike për të sjellë ndryshim në vend.