Varianti indian i koronavirusit po dominon në Britani

Londra.

Varianti i koronavirusit, i identifikuar fillimisht në Indi, tani është dominant në Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë Zyra e Shëndetit Publik në Angli.

Numri i rasteve të konfirmuara nga analizat laboratorike është rritur për 79 për qind javën e kaluar, duke arritur në 12,431.

Shkencëtarët besojnë se ky variant, që tashmë njihet si Delta, ka tejkaluar variantin që është identifikuar fillimisht në Britani dhe tani njihet si Alfa.

SHIKONI EDHE: OBSH riemëron variantet e koronavirusit me shkronja greke

Ata thonë se mund të ketë rrezik të rritjes së numrit të personave të shtrirë në spital për shkak të variantit Delta.

Mirëpo një gjë e tillë bazohet në të dhënat e hershme dhe Zyra e Shëndetit Publik ka thënë se duhet bërë më shumë hulumtime për të vërtetuar gjetjet e reja.

“Me dominim të këtij varianti në Mbretërinë e Bashkuar, është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë të kemi kujdes sa më shumë që është e mundur”, ka thënë mjekja Jenny Harries, njëherësh shefe ekzekutive e Agjencisë për Siguri Shëndetësore.

“Mënyra për të luftuar variantet është që të luftojmë përhapjen e gjithë koronavirusit”.

Zyra e Shëndetit Publik në Angli ka thënë se pjesa më e prekur nga ky variant vazhdon të jetë veriperëndimi i Anglisë.