India ka thënë se varianti i ri i koronavirusit, i raportuar fillimisht në këtë shtet në muajin mars, mund të jetë i lidhur me valën vdekjeprurëse të pandemisë.
Mostrat me mutacionin e dyfishtë janë identifikuar në disa rajone të Indisë, ku janë raportuar shifra rekorde të infektimit.
Megjithatë një zyrtar i Qendrës Kombëtare për Kontrollin e Sëmundjeve ka thënë se autoritetet ende nuk kanë krijuar plotësisht lidhjen në mes të këtyre varianteve dhe shkallës së infektimit.
Mutacioni i dyfishtë krijohet kur dy mutacione bëhen bashkë në të njëjtën virus.
Në 24 orët e fundit, India ka raportuar një rekord prej 412,000 rasteve, bashkë me 3,980 viktima.
SHIKONI EDHE: Pse të dhënat për pandeminë në Indi mund të mos jenë të sakta?Eksperti qeveritar ka paralajmëruar se vala e tretë është e pashmangshme.
Duke folur në një konferencë për media nga Ministria e Shëndetësisë, K Vijay Raghavan ka pranuar se ekspertët nuk e kanë parashikuar “ashpërsinë” e rritjes së numrit të rasteve.
“Faza e tretë është e pashmangshme, marrë parasysh nivelet e larta të qarkullimit të virusit”, ka thënë ai.
“Mirëpo nuk është e qartë se në çfarë shkalle do të ndodhë kjo valë. Ne duhet të jemi të përgatitur për valë të reja”.
Vala aktuale e pandemisë ka vështirësuar rëndë punën e sistemit shëndetësor, pasi ka mungesë të shtretërve, oksigjenit dhe nuk ka hapësirë për krematoriume.
Disa rajone tashmë janë nën masa të izolimit, mirëpo qeveria nuk ka marrë vendim për një masë të tillë kombëtare, duke u frikësuar për ndikimin që mund ta ketë një gjë e till në ekonomi.