Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi kërkoi nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet dhe të tërhiqen nga, siç i quajti ai, “veprime të njëanshme”, pasi sipas tij, ato nuk janë asnjëherë zgjidhje.
“Kosovë dhe Serbi, është e domosdoshme që të përmbaheni dhe të shtensiononi situatën, t’i ktheheni dialogut dhe të siguroni liri të lëvizjes pa vonesa. Veprimet e njëanshme nuk janë asnjëherë zgjidhje. Ato vetëm shpijnë në tensione të panevojshme dhe duhet të tërhiqen”, shkroi Varhelyi në llogarinë e tij në Twitter.
Komisioneri Varhelyi nuk ka saktësuar se për cilat “veprime të njëanshme” bëhet fjalë.
SHIKONI EDHE: Kurti: Masat për targat i heqim nëse Serbia vepron njësojVendimi i autoriteteve të Kosovës për të zbatuar masa reciprociteti ndaj automjeteve me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, ka nxitur protesta të banorëve serbë në veri të Kosovës dhe reagime të ashpra të Beogradit zyrtar.
Përfaqësues të Serbisë thonë se Kosova, me këtë veprim, ka shkelur dispozita të Marrëveshjes së Brukselit, të cilën dy vendet e kanë arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Në Prishtinë thonë se janë duke vepruar në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.
Në BE vazhdojnë të thonë se e vetmja rrugë për të zgjidhur mospajtimet, përfshirë edhe ato rreth përdorimit të targave të veturave, është përmes dialogut.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak ka qëndruar në Kosovë dhe në Serbi ditëve të shkuara dhe ai po ashtu kishte shprehur shqetësim për tensionet e krijuara.
Për këtë përmes telefonit, sipas burimeve të BE-së, me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq kishte biseduar edhe Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Deri më tani, qytetarët e Kosovës me targa RKS (Republika e Kosovës), kur kanë hyrë në Serbi, kanë paguar rreth pesë euro për targa të përkohshme, që janë të vlefshme për 60 ditë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 20 shtator se Prishtina zyrtare nuk ka dashur të vendosë masa reciprociteti, por nuk ka pasur zgjidhje tjetër, për shkak të qëndrimeve të Beogradit zyrtar.