“Jetoj nga dita në ditë, varfëria më është futur në palcë”

Treg në Maqedoninë e Veriut - Fotografi ilustruese nga arkivi.

“Varfërinë e ndiej në palcë, ajo është bërë fryma që më helmon”, thotë Borko, 70-vjeçar, i cili nuk ka pension pasi nuk ka pasur punë të rregullt. Borko nuk gëzon as ndihmë sociale, pasi, thotë se i është refuzuar për shkak të dokumentacionit të pakompletuar.

“Jetoj nga dita në ditë. Mund të them se mbijetoj nga zori. Nuk kam kurrfarë të ardhurash. Nuk kam asnjë kualifikim, andaj edhe nuk më angazhon askush në punë”, thotë Borko për Radion Evropa e Lirë.

Ai është në mesin e 80 mijë personave në Maqedoninë e Veriut që jetojnë në varfëri ekstreme, përkatësisht ditën e kalojnë me rreth 60 denarë (rreth 1 euro). Kurse, rreth gjysmë milioni qytetarë jetojnë me më pak se 200 denarë (rreth 3 euro) brenda ditës.

Në bazë të të dhënave të Bankës Botërore, të vitit 2019 në Maqedoninë e Veriut jetonin 56 mijë persona në varfëri ekstreme dhe 390 mijë persona mesatarisht të varfër.

Branimir Jovanoviq, ekspert i ekonomisë, thotë se krizat e vazhdueshme tre vjetëve të fundit kanë goditur një pjesë të madhe të familjeve në vend.

Bashkë me Shoqatën për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Gjithëpërfshirës Jovanoviq kanë prezantuar të dhënat e studimit “Ndikimi i inflacionit në varfërinë në Maqedoni” që vlerëson ndikimin e rritjes së çmimeve në thellimin e varfërisë.

Sipas skenarit më të keq të studimit, viti 2023 do të mbyllet me 86 mijë e 405 persona që jetojnë në varfëri të skajshme (ekstreme) dhe 519 mijë e 452 në varfëri të moderuar.

Po, sipas këtij studimi, skenari më i favorshëm, parashikon se 70 mijë e 084 qytetarë do të jenë skajshmërisht të varfër dhe 439.022 që jetojnë në varfëri të moderuar.

Në bazë të dy skenarëve në Maqedoninë e Veriut çdo i treti qytetar është i varfër.
Në bazë të të dhënave të Lidhjes së Sindikatave në Maqedoninë e Veriut, shporta për një familje 4-anëtarëshe për muajin shtator është 48 mijë 379 denarë (rreth 790 euro).

SHIKONI EDHE: “Aq sa kemi në xhep, aq edhe do të hamë”

Sindikalistët theksojnë se sa e thellë është varfëria, tregon fakti se një familje 4-anëtarëshe është e varfër edhe nëse në këtë familje hyjnë dy paga minimale prej 20 mijë 175 denarësh (328 euro) gjegjësisht 656 euro. Të varfër ndihen, madje, edhe familjet që kanë dy paga të hyra, pasi siç thonë, nuk mund t’i sigurojnë as gjërat elementare.

“Standardi është rritur shumë, çmimet kanë shkuar aq lart sa nuk përputhen aspak me pagën minimale. Unë dhe bashkëshorti kemi dy paga, po ato nuk janë të mjaftueshme që t’u siguroj gjërat minimale dy djemve të mi. Në çdo gjë kursejmë”, thotë Denisa Hadarpashiq.

Nga Lidhja e Sindikatës theksojnë se për të ulur shkallën e lartë të varfërisë në Maqedoninë e Veriut “nevojiten masa të shpejta dhe serioze në fushën e ekonomisë përmes investimeve dhe sipërmarrjeve të reja, zhvillimit të kapaciteteve të reja prodhuese, rritjes së mbështetjes dhe subvencionimit të zonave të caktuara ekonomike, që do të çojë në rritje të pagave dhe ulje të varfërisë të popullsisë”.

Por, zëvendëskryeministri për çështje Ekonomike, Fatmir Bytyçi, ka theksuar se nëse nuk do të reagonte Qeveria me masat për kategoritë e ndryshme të qytetarëve që u prekën nga kriza, në atë rast hendeku i varfërisë do të ishte edhe më i thellë.

Këto komente Bytyçi i ka bërë në kuadër të diskutimit “Jetë e dinjitoze apo mbijetesë?”, organizuar nga Platforma maqedonase kundër varfërisë, në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë, që këtë vit ka porosinë “Punë e denjë dhe mbrojtje sociale: dinjitet në praktikë, për të gjithë!”.

“Sot është e qartë se nëse gjatë tre vjetëve të fundit Qeveria nuk do të kishte zbatuar masat që kemi zbatuar për t’i mbrojtur standardet e grupeve më të rrezikuara dhe më pas për të ruajtur vendet e punës, sot do të kishim një pamje më të keqe. Politikat socialdemokrate kanë mbrojtur dhe do të vazhdojnë të mbrojnë standardin dhe të përmirësojnë mirëqenien e të gjithë qytetarëve”, ka theksuar ai.

SHIKONI EDHE: Qindra artikuj ushqimorë “luksi” shtrenjtohen

Për t'u përballur me pasojat ekonomike të shkaktuara fillimisht nga kriza e pandemisë, më pas nga inflacioni dhe kriza energjetike, Qeveria e Maqedonisë së Veriut deri më tani ka miratuar tetë paketa masash kundër krizës.

Si pjesë e masave kundër krizës ishte shpërndarja e subvencioneve në para për kategoritë e ndryshme, ngrirjen e marzhës për produktet ushqimore bazë.

Së fundmi është paralajmëruar dhe një pako ndihmash kundër krizës në vlerë prej rreth 70 milionë eurosh, e cila do të dedikohet për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve.