Varfëria i detyron fëmijët afganë të bëjnë punë të rënda

Organizata për Mbrojtjen e Fëmijëve, Save the Children, me bazë në Londër, vlerëson se gjysma e familjeve në Afganistan i kanë angazhuar fëmijët e tyre në punë për shkak të nevojës ekonomike. Fëmijët të vegjël nga 4 vjeç mund të shihen duke punuar në furra tullash si kjo e fotografuar në periferi të Kabulit.

Situata është përkeqësuar edhe më shumë pas tërheqjes së SHBA-së dhe pushtimit të Afganistanit nga talibanët, në gusht të vitit 2021. Afganistani po përballet me krizë ekonomike, si dhe me thatësira që kanë lënë pasoja katastrofike te popullsia dhe fëmijët e tij.
 

Rahim (nuk është në këtë foto) ka tre fëmijë që punojnë me të, të moshës nga 5 deri në 12 vjeç. Ai tha se nuk kishte zgjidhje.

"Nuk ka rrugë tjetër", tha ai. "Si mund të mësojnë kur ne nuk kemi bukë për të ngrënë? Mbijetesa është më e rëndësishme".

Fëmijët përfshihen në çdo hap të procesit të prodhimit të tullave, madje edhe në tërheqjen e enëve me ujë ose bartjen e kallëpeve të tullave prej druri plot me baltë për t'i vendosur në diell për t'u tharë.

 



 

Disa fëmijë ngarkojnë dhe shtyjnë karrocat e mbushura me tulla të thara për t'i pjekur në furra. Më pas sërish u duhet të shtyjnë karroca plot me tulla të pjekura për t'i kthyer në zonën e ngarkimit.

Dy djem duke kërkuar copa të përdorshme thëngjilli, teksa thithin tym dhe mbulohen me hi.

Kur pyeten për lodrat apo lojërat, fëmijët buzëqeshin dhe ngrenë supet. Vetëm disa prej tyre kanë qenë në shkollë.

Punëtorët marrin ekuivalentin e 4 dollarëve për çdo 1000 tulla që bëjnë. Një i rritur që punon i vetëm, nuk mund ta arrijë atë numër gjatë një dite, por nëse e ndihmojnë fëmijët, ata mund të bëjnë 1500 tulla në ditë, thanë punëtorët për AP-në.

Sondazhi i Save the Children vuri në dukje se situata për vajzat është veçanërisht shqetësuese. Vajzat kanë më shumë se dy herë gjasa më të mëdha që të jenë jashtë shkollës dhe gati dy herë më shumë të ngjarë të shkojnë në shtrat të uritura në krahasim me djemtë.

Sondazhi, gjithashtu, vuri në dukje kolapsin e shpejtë të mjeteve të jetesës së afganëve. Në qershor, 77 për qind e familjeve të anketuara raportuan se kishin humbur gjysmën e të ardhurave ose më shumë krahasuar me një vit më parë, nga 61 për qind sa ishte në dhjetor.

Një vajzë 12-vjeçare afgane duke shkarkuar tulla të thyera.

Programi Botëror i Ushqimit më 27 tetor paralajmëroi se jeta e shumicës së afganëve ishte "padurueshëm e vështirë" si rezultat i përshkallëzimit të varfërisë dhe papunësisë. Ai, gjithashtu, vuri në dukje se shkalla e varfërisë është rritur në 97 përqind, me nëntë nga 10 persona të paaftë për të siguruar ushqim të mjaftueshëm.

Një vajzë 9-vjeçare afgane mbulohet që të mbrohet nga një rrebesh shiu në fabrikën e tullave ku ajo punon.

Një vajzë 4-vjeçare duke fjetur pas një dite të gjatë në punë.
 

Fotografi i Associated Press, Ebrahim Noroozi, i realizoi këto foto të fëmijëve prej 4 vjeç, që punojnë në furrat e fabrikave të tullave në periferi të Kabulit për disa muaj. (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)