Kosovë: 17 për qind e popullsisë së përgjithshme është vaksinuar plotësisht kundër COVID-19

Pamje nga qendra e vaksinimit në Prishtinë.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se deri më 6 shtator, 17 për qind e popullsisë së përgjithshme është vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.

Dozën e parë, ndërkaq, e ka marrë 35 për qind e popullsisë.

Mirëpo sipas kësaj Ministrie, nëse analizohen shifrat e popullsisë që mund të marrë këtë vaksinë, del se 50 për qind e njerëzve janë imunizuar me dozën e parë.

Me dozën e dytë janë imunizuar 25 për qind e popullsisë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Kosova duhet të vaksinojë 1 milion e 260 mijë qytetarë kundër COVID-19, sëmundjes që shkaton koronavirusi.

Sipas faqes shkencore online, OurWorldinData, Serbia prin nga vendet e rajonit me vaksinim të plotë në nivel të përgjithshëm të popullsisë, 41 për qind.

Ajo pasohet nga Mali i Zi me 30 për qind, Maqedonia e Veriut me 26 për qind, Shqipëria 23 për qind dhe Bosnje-Hercegovina me 11 për qind.

Sipas kësaj faqeje 40.4 për qind e popullsisë botërore ka marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër COVID-19.

Në total, autoritetet shëndetësore në botë kanë dhënë 5.49 miliardë vaksina, derisa vlerësohet se 32.11 milionë të tilla janë duke u dhënë çdo ditë.

Sipas të dhënave në këtë faqe, vetëm 1.8 për qind e njerëzve në shtetet me të ardhura të ulëta kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.