Biden merr dozën përforcuese të vaksinës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, duke marrë dozën përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit. Uashington, 27 shtator, 2021.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mori të hënën dozën përforcuese të vaksinës Pfizer kundër koronavirusit.

“Gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjmë, është të vaksinojmë më shumë njerëz”, tha Biden para se të merrte vaksinën.

Biden, 78 vjeç, e ka marrë dozën e parë të vaksinës më 21 dhjetor dhe dozën e dytë më 11 janar.

Ai tha se edhe zonja e parë, Jill, do ta marrë së shpejti dozën përforcuese.

Javën e kaluar, Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në SHBA miratuan dozën përforcuese të vaksinës Pfizer për amerikanët 65 vjeç e lart dhe për ata me probleme të rrezikshme shëndetësore.

Dozat shtesë duhet të jepen së paku gjashtë muaj pas vaksinimit të plotë.

SHIKONI EDHE: CDC në SHBA miraton vaksinat përforcuese

Dozat përforcuese nuk janë miratuar ende për dy vaksinat e tjera që jepen në SHBA: Moderna dhe Johnon&Johnson.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thanë të premten se të dhënat për dozat përforcuese të këtyre dy vaksinave do të vlerësohen “në javët e ardhshme”.

Sipas CDC-së, rreth 184 milionë amerikanë janë të vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit, ose rreth 56 për qind e popullsisë.

Biden tha javën e kaluar se rreth 60 milionë njerëz në SHBA kanë të drejtë të marrin dozën përforcuese të vaksinës Pfizer.

SHIKONI EDHE: Biden i premton botës "arsenal vaksinash"