Afganistani nisi një tjetër fushatë të vaksinimit kundër poliomielitit, e cila synon mbrojtjen e rreth 11.2 milionë fëmijëve nën moshën 5-vjeçare, tha të hënën Ministria e Shëndetësisë e talibanëve.
Fushata katërditore mbarëkombëtare - e dyta këtë vit - do t’i mbulojë 34 provincat e vendit, thuhet në deklaratë.
“Ne do të bëjmë çdo përpjekje dhe do t’i vazhdojmë fushatat e vaksinimit kundër poliomielitit, ashtu si dhe shërbimet plotësuese shëndetësore, derisa ta zhdukim poliomielitin nga Afganistani”, tha ministri Noor Jalal Jalali.
Ai u bëri thirrje dijetarëve fetarë, pleqve të komunitetit dhe prindërve që t’i luajnë rolet e tyre në luftën kundër kësaj sëmundjeje, që mund të çojë në paralizë dhe vdekje.
Në dhjetor, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se riatdhesimi i migrantëve afganë nga Pakistani fqinj, e ka rritur rrezikun e përhapjes së poliomielitit.
Që atëherë, Afganistani ka kryer disa runde vaksinimesh.
Your browser doesn’t support HTML5
Katër raste të këtij virusi janë regjistruar në Afganistan vetëm këtë vit, sipas Abdul Quddus Baryalait, drejtor i Qendrës kombëtare për Çrrënjosjen e Poliomielitit. Vitin e kaluar, sipas tij, janë regjistruar gjithsej gjashtë raste.
Fushatat e vaksinimit në Afganistan dhe Pakistan shpesh janë sfiduese, për shkak të teorive konspirative se vaksinat e poliomielitit shkaktojnë infertilitet ose se vaksinuesit janë spiunë.
Para se të merrnin pushtetin në gusht të vitit 2021, talibanët kanë ndaluar shkuarjen e vaksinuesve nga shtëpia në shtëpi, në zonat që ata kanë kontrolluar.
Megjithatë, Kombet e Bashkuara i kanë bindur që ta rinisin programin e vaksinimit në të gjithë vendin, pas kthimit të tyre në pushtet.