Përzierja e vaksinave nxit përgjigje më të mirë imunitare

Pamje nga një qendër e vaksinimit në Zagreb. Nëntor, 2021.

Një studim i madh në Britani tregon se vaksinat kundër koronavirusit mund t’u japin njerëzve reagim më të mirë imunitar nëse përzihen.

Studimi përmend si shembull vaksinimin me AstraZeneca ose Pfizer/BioNTech për herë të parë dhe, rreth nëntë javë më vonë, me Moderna.

“Kemi vërejtur përgjigje shumë të mirë imunutare... në fakt, më të mirë se nga [vaksinimi] me dy doza të vaksinës Oxford/AstraZeneca”, tha për agjencinë e lajmeve Reuters profesori i Universitetit të Oksfordit, Matthew Snape.

Ai tha se gjetjet mund të jenë një gjë pozitive për vendet më të varfra, që mund të kenë nevojë të kombinojnë lloje të ndryshme të vaksinave, nëse furnizimet me një lloj mbarojnë.

“Mendoj se të dhënat nga ky studim do të jenë veçanërisht interesante dhe të vlefshme për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”, tha ai.

SHIKONI EDHE: Kombinimi AstraZeneca - Pfizer rrit nivelin e antitrupave, thotë studimi

Studimi i Universitetit të Oksfordit, i cili u botua në revistën mjekësore Lancet, është kryer në 1,070 vullnetarë. Sipas tij, përzierja e vaksinave nuk ka ngritur asnjë shqetësim për sigurinë.

“Nuk keni nevojë të lidheni me marrjen e së njëjtës vaksinë për dozën e dytë”, tha Snape.

SHIKONI EDHE: Fushata më e shpejtë e vaksinimit në botë 

Banka Botërore, ndërkohë, tha se financimet e saj kanë ndihmuar deri më tani në shpërndarjen e 100 milionë dozave të vaksinave në të gjithë botën.

Ajo tha se do të arrijë shifrën prej 150 milionësh deri në fund të muajit, nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve.

Shefi i Bankës Botërore, David Malpass, tha se ky institucion ka bërë kontrata për gati 300 milionë doza.

Në qytetin amerikan të Nju Jorkut, autoritetet e bënë të detyrueshëm vaksinimin për fëmijët nga 5 vjeç dhe për punëtorët në të gjitha kompanitë e sektorit privat.

Afati për të 184,000 bizneset në Nju Jork, për t'iu kërkuar punonjësve të tyre të dëshmojnë se janë të vaksinuar, është data 27 dhjetor, tha kryebashkiaku Bill de Blasio.

Fëmijët nga 5 deri në 11 vjeç duhet të marrin së paku një dozë deri më 14 dhjetor dhe fëmijët 12 vjeç e lart duhet të vaksinohen plotësisht deri më 27 dhjetor, për të hyrë në restorante dhe për të marrë pjesë në aktivitete shkollore, të tilla si sportet, muzika dhe kërcimet.

Your browser doesn’t support HTML5

Vaksinimi i detyrueshëm dhe të drejtat tuaja

“Vaksinimi është mënyra për të dalë nga kjo pandemi dhe këto janë masa të guximshme për t’i inkurajuar banorët e Nju Jorkut që të mbajnë veten dhe komunitetet e tyre të sigurta”, tha de Blasio.

Eric Adams, i cili do ta zëvendësojë de Blasion si kryetar bashkie në janar, do t’i rishikojë detyrimet për vaksina dhe veprimet e tjera për të luftuar pandeminë e koronavirusit kur të marrë detyrën, tha zëdhënësi i tij.

Detyrimet për vaksinim janë shndërruar në një çështje përçarëse në Shtetet e Bashkuara, ashtu sikurse edhe në të gjithë botën.

Urdhri për vaksinim, që ka dhënë më herët presidenti Joe Biden për kompanitë me 100 punëtorë ose më shumë, është shtyrë muajin e kaluar nga një gjykatë e apelit në SHBA.

Përgatiti: Valona Tela