Në Kosovë ende nuk kanë arritur dozat e reja të vaksinës kundër koronavirusit, doza këto të cilat ishin paralajmëruar se do të vinin gjatë muajit prill.
Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk janë përgjigjur në pyetjet e Radios Evropa e Lirë, lidhur me vonesat për sigurimin e dozave të reja të vaksinave kundër COVID19.
Kohë më parë, në Ministrinë e Shëndetësisë janë deklaruar se UNICEF-i, iu kishte bërë të ditur se 76 mijë e 800 doza të tjera të vaksinës, mund të vijnë përmes COVAX-it, të ndara në dy kontingjente: njëri në fund të prillit e tjetri gjatë majit.
Gjithashtu, kjo ministri ka thënë se 95 mijë doza të vaksinës Pfizer nga Bashkimi Evropian, do t'i jepen Kosovës në periudhën maj-gusht.
SHIKONI EDHE: Kosova do të marrë nga BE-ja 95,000 doza të Pfizer/BioNTechVeprime urgjente në sigurimin e vaksinës
Ekspertë shëndetësorë, infektologë dhe partitë opozitare, i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të veprojnë në mënyrë urgjente, për sjelljen e vaksinës kundër koronavirusit, në të kundërtën, qytetarët po rrezikohen nga infektimet dhe vdekjet që po shkakton COVID-19.
Hana Xhemajli, specialiste për hulumtime të politikave globale shëndetësore, tha për Radion Evropa e Lirë, se Kosova është e rrezikuar për faktin se është shteti i fundit që ka dozën kaq të vogël të vaksinave dhe i fundit që nuk e ka siguruar një kontratë për blerje të vaksinës.
“Sa po rrezikohemi është e vështirë të matet, por rreziku është mes nesh, sidomos për faktin qe edhe popullata nuk është duke i respektuar rregullat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, si maskat dhe distanca fizike në mënyrë strikte”, thotë Xhemajli.
SHIKONI EDHE: Vaksinat drejt fundit, shpresat te donatorëtNë Kosovë, që nga paraqitja e rasteve të para me COVID-19 në mars të vitit 2020 dhe deri më 29 prill 2021, 2.162 pacientë kanë vdekur nga koronavirusi, ndërsa të infektuar janë regjistruar mbi 100 mijë raste.
Vaksinimi në Kosovë ka nisur në fund të muajit mars, por pas administrimit të 24 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca, të cilat Kosova i pranoi si donacion përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksinimi është ndërprerë deri në arritjen e dozave të tjera.
Infektologu Ilir Tolaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo ditë që shtyhet vaksinimi i popullatës, është një rrezik potencial që dikush të sëmuret dhe të vdes.
“Në kohën kur nuk kanë qenë të zbuluara vaksina, mundësia e vetme ka qenë që të aplikohen masat për parandalimin e përcjelljes së infeksionit dhe masat për mjekimin e të sëmurëve. Në këtë kohë, kur vaksina me muaj të tërë është në dispozicion, jo vetëm një vaksinë, por mbi nëntë lloje të vaksinave në nivel botëror, është absurde që Kosova ende nuk ka siguruar vaksinat”, thotë Tolaj.
Opozita kritikon qeverinë për mossigurim të vaksinës
Mjaft kritik për mossigurimin e dozave të reja të vaksinës kundër COVID-19, janë edhe partitë opozitare në Kosovë.
SHIKONI EDHE: Opozita: Kurti dështoi në menaxhimin e pandemisëShemsedin Dreshaj, nga partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh edhe anëtar i Komisioni për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet duhet të vënë kontakte me kompanitë farmaceutike, në mënyrë që të përshpejtohet ardhja e vaksinës.
“Jemi vonuar. Çdo ditë po rrezikohet jeta e popullatës në mungesë të vaksinave. Virusi është në ambient tona dhe është duke qarkulluar, përkundër faktit që kemi një rënie të rasteve të reja, por vdekjet po ndodhin”, thotë Dreshaj.
Mjekët hezituan të vaksinohen
Në mes të të vaksinuarve me 24 mijë dozat e para të vaksinës kundër kornavirusit, përfshihen punonjësit shëndetësorë, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.
SHIKONI EDHE: Në Kukës vazhdon imunizimi i mjekëve nga KosovaSipas kryetarit të Federatës së Sindikalistëve të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, me këtë doza të vaksinës janë vaksinuar afër 5 mijë punëtorë shëndetësorë, që sipas tij, paraqet një numër shumë të vogël.
Ai thotë se ka ekzistuar një hezitim i mjekëve për tu vaksinuar me vaksinën AstraZeneca, e që kjo ka dhënë një mesazh shumë të keq te popullata. Për këtë hezitim, ai thotë të jetë shkaktuar nga keqinformimi dhe strategjia jo e duhur e autoriteteve.
Po ashtu, ai thotë që një grup i profesionistëve shëndetësorë, besojnë se do të vaksinohen me vaksinën Pfizer.
“Çdo ditë që vonohemi në sjelljen e vaksinës dhe në vaksinim, vonohemi të shpëtojmë një jetë. Njëzetekatër mijë dozat e administruara është një pikë ujë në oqean. Jemi duke u vonuar pasi që fatkeqësisht politikanët tanë nuk janë konsekuent. Më e keqja është se këtu po mbizotëron jotransparenca. Virusi dhe sëmundja nuk ndahet në periudha qeverisëse”, thotë Syla.
Ndryshe, sipas planit shtetëror të imunizimit, deri në fund të vitit, Qeveria e Kosovës planifikon që të vaksinojë deri 70 për qind të popullatës në Kosovë.