Kompanitë Pfizer dhe BioNTech thanë se do të kërkojnë miratimin e rregullatorve për vaksinimin e fëmijëve të moshës nga 5 deri në 11 vjeç.
Rezultatet e provave klinike të vaksinës së tyre kanë treguar se ajo është e sigurtë dhe pranohet mirë nga kjo grupmoshë duke nxitur një përgjigje imune të “fuqishme”.
Prandaj përmes një komunikate, Pfizer dhe BioNTech thanë se do të kërkojnë një miratim sa më të shpejt.
Kompanitë thanë më 20 shtator se vaksina do të injektohet me një dozë më të ulët se ajo që jepet për personat 12 vjeç e lart.
"Rezultatet janë një bazë e fortë për të kërkuar autorizimin e vaksinës sonë për fëmijët 5 deri në 11 vjeç dhe ne planifikojmë ta dorëzojmë kërkesën me urgjencë në FDA (Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA) dhe rregullatorët e tjerë", tha kryeshefi Ekzekutiv i Pfizer, Albert Bourla.
Më vonë këtë vit këto kompani do të shpallin edhe rezultatet e testimit të vaksinës për fëmijët nën moshën pesë vjeç.
"Që nga muaji korrik, rastet e fëmijëve me COVID-19 janë rritur me rreth 240 për qind në SHBA-duke nënvizuar nevojën e për vaksinim", tha Bourla.
Your browser doesn’t support HTML5
Zyrtarët kryesorë shëndetësorë amerikanë besojnë se rregullatorët mund të marrin një vendim brenda tre javësh nga paraqitja e kërkesës për autorizim nga kompanitë, thanë dy burime për Reuters.
Muajt e fundit shtrimet në spital dhe vdekjet nga COVID-19 janë rritur në Shtetet e Bashkuara për shkak të variantit shumë ngjitës Delta.
Një autorizim i shpejtë mund të ndihmojë në zbutjen e një rritjeje të mundshme të rasteve në vjeshtë, veçanërisht pasi shkollat tashmë janë hapur.