Kosova ka pranuar të hënën (6 shtator) 556.920 doza të vaksinës Pfizer kundër koronavirusit.
“Prej këtij kontigjenti, 503 100 doza janë pjesë e donacionit të SHBA për Kosovën, të cilat në Kosovë kanë arritur përmes mekanizmit COVAX, ndërsa 53.820 doza të tjera janë nga marrëveshja bilaterale për vaksina kundër COVID-19 midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë Pfizer”, thuhet në njoftim.
Departamenti i Shtetit në SHBA tha se kjo sasi e vaksinave do t'ia mundësojë Kosovës të mbrojë qytetarët e saj më shpejt.
"Një Kosovë e shëndetshme, e pavarur, është një partner më i fortë për Shtetet e Bashkuara", thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Autoritetet në Kosovë thonë se me arritjen e këtyre vaksinave, imunizimi në masë kundër kundër COVID-19 do të përshpejtohet “me qëllim të arritjes së objektivit të Qeverisë për vaksinimin e 60% të popullatës sipas Planit shtetëror të vaksinimit”.
Më 1 shtator, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pati njoftuar se 133,234 doza të vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit janë hequr nga përdorimi, për shkak të skadimit të afatit.
Vaksinat kanë qenë pjesë e një donacioni nga Norvegjia.
SHIKONI EDHE: Syla: Vaksinat që përdoren në Kosovë janë të sigurta dhe efikaseNumri i qytetarëve të Kosovës të vaksinuar me nga dy doza të vaksinës kundër koronavirusit ka arritur në 315.880.
Numri total i vaksinave të administruara është 934.956.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë thanë të hënën (6 shtator) se janë regjistruar edhe 28 viktima të reja nga sëmundja COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë në raportin ditor për situatën epidemiologjisë thotë se janë shënuar edhe 489 raste të reja të të infektuarve me koronavirus.
Më herët, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi se tetëdhjetë e tre pacientë me koronavirus, të shtrirë në spitalet e Kosovës, janë në gjendje të rëndë. Një ditë më herët, numri i pacientëve në gjendje të rëndë ishte 87.
Në total, në spitalet e Kosovës janë 1,115 pacientë pozitivë me koronavirus.
“Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve të grup-moshës mbi 16 vjeçe sikurse edhe kategorisë së fëmijëve të moshës prej 12-15 vjeç me indikacione mjekësore që të vaksinohen. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje edhe grave shtatzëna që të vaksinohen sikurse edhe nënave gjidhënëse gjithashtu”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.