A ka Kosova mjaftueshëm vaksina për vitin 2022?

Një nxënëse e shkollës së mesme “Eqrem Qabej” në Prishtinë duke marrë vaksinën kundër koronavirusit. 26 nëntor 2021.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës (MSH) ka bërë të ditur se edhe këtë vit do të ketë vaksina të mjaftueshme kundër COVID-19. Sipas këtij institucioni, mbi 400 mijë vaksina aktualisht janë në dispozicion dhe sipas nevojës do të kontraktohen të tjera.

“Në MSH është një komision që merret me vlerësimin e nevojave dhe negocimin e blerjes së tyre sipas nevojave”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Shëndetësisë, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Vaksinat e para, Kosova i kishte siguruar përmes donacioneve, ndërsa në maj 2021 pati nënshkruar kontratën e parë me kompanitë Pfizer/BioNTech për sigurimin e mbi një milion vaksinave.

SHIKONI EDHE: Familja që riktheu sigurinë me anë të vaksinimit

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në fund të marsit 2021. Ndërkaq, nga 9 dhjetori ka nisur të administrohet edhe doza e tretë dhe përforcuese e vaksinës.

Dozën përforcuese dhe dozën e tretë do të mund ta marrin të gjithë personat mbi 18 vjeç. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët do të njoftohen për datën e vaksinimit përmes mesazheve telefonike, e-mailit dhe njoftimeve publike.

Vaksina kundër koronavirusit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, do të këtë mjaftueshëm edhe për dozën e tretë edhe atë përforcuese.

Deri më datën 1 janar 2022, 2,093 qytetarë kanë marrë dozën e tretë, ndërkaq dozën përforcuese e kanë marrë 10,257 persona.

Doza përforcuese u jepet qytetarëve tre muaj pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.

Kurse doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por te të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre, apo sëmundjeve shoqëruese, me rekomandim të mjekut ordinues.

Mbi 43 për qind të vaksinuar me dy doza

Viti 2021 është përmbyllur me mbi 43 për qind të qytetarëve të Kosovës të vaksinuar me nga dy doza të vaksinës.

Derisa për vitin 2021, Qeveria e Kosovës kishte synuar të vaksinojë 60 për qind të popullatës, për këtë vit në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se janë disa indikatorë që duhet analizuar para se të vendoset përqindja.

“Për të vendosur objektiva më të qarta duhen disa analiza më të thella dhe projeksion si mund të jetë viti 2022 në raport me COVID-19, si do të shkojë vaksinimi me dozën e tretë dhe atë përforcuese dhe si do të jetë situata epidemiologjike në vend, rajon e më gjerë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

SHIKONI EDHE: Prindërit ngurrojnë t’i vaksinojnë fëmijët

Megjithatë, sipas Ministrisë, fokus është që të arrihet vaksinimi i të gjithë atyre qytetarëve që bien në kategoritë që duhet vaksinuar.

Xhemajli: Sfidë vaksinimi i moshave nën 18 vjeç

Në Kosovë të drejtë vaksinimi kanë të gjithë personat mbi 12 vjeç.

Por, numri i të vaksinuarve nën moshën 18-vjeçare konsiderohet të jetë i ulët.

Brenda tri javësh të muajit nëntor 2021, kur ka nisur vaksinimi i këtyre moshave, mbi 2 mijë fëmijë të kësaj grupmoshe e kanë marrë vaksinën Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë të dhënat më të reja për vaksinimin e kësaj kategorie.

Specialistja për hulumtime të politikave globale shëndetësore, Hana Xhemajli, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ndonëse Kosova ka filluar më vonë vaksinimin është një nga shtetet më të suksesshme në vaksinim.

Por, sipas saj, Kosovën e pret një problem tjetër, siç është vaksinimi i fëmijëve.

“Me moshat 18-vjeçare e lart ne kemi një vaksinim të mirë dhe nëse vazhdojmë në mënyrë të këtillë nuk do të kemi probleme fare. Mirëpo, i frikësohem pak vaksinimit të fëmijëve për të cilën ka rezistencë të madhe, edhe më shumë se sa për vaksinimin e të rriturve”, thotë Xhemajli.

Your browser doesn’t support HTML5

Pse duhet t'i vaksinoni fëmijët?

Numri i fëmijëve 12 deri 15 vjeç në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është rreth 99 mijë.

Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë nëpër shkolla materiale informuese për vaksinimin e fëmijëve dhe sipas tyre, edhe në këtë vit do të vazhdohet me fushata vetëdijesuese për vaksinën kundër koronavirusit.

“Për aq kohë sa ka nevojë të jepen vaksina, ka nevojë që njerëzit t’i kenë edhe informacionet e nevojshme për to, sidomos kur nuk mund të përjashtohen edhe keqinformimet nga ana e atyre që kundërshtojnë vaksinimin”, thuhet në përgjigje.

Po ashtu në planin administrimit të vaksinimit të MSH-së, është paparë të bëhet tranzicioni i vaksinimit nga qendrat e deritanishme, siç ka qenë salla ‘1 Tetori’ në Prishtinë dhe qendrat tjera nëpër komuna, në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Më 26 dhjetor 2021, Kosova detektoi rastet e para me variantin Omicron të koronavirusit dhe përmbylli një vit me situatë të qetë epidemiologjike.