Autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut thonë se nuk ka vend për panik, por pacientët duhet të jenë të vetëdijshëm se infeksioni me COVID-19 ende është i pranishëm.
Marta Tunxheva, specialiste e mjekësisë familjare në Shkupi, thotë për Radio Evropa e Lirë thotë së në ordinancën e saj gjatë dhjetë ditëve të fundit ka regjistruar së paku tre pacientë të prekur me COVID-19.
Tunxheva thotë se të gjithë pacientët e saj kanë mësuar se janë prekur nga virusi COVID-19, pasi janë kthyer nga pushimet jashtë vendit.
“Pacientët vijnë me një pasqyrë më të lehtë simptomatike, si: rrjedhja e sekretit nga hundët, kollë të lehtë dhe rrallë me temperaturë të lartë trupore. Pacientët nuk janë të vetëdijshëm se COVID-19 akoma është prezent. Për këtë vetëdijesohen pasi u them ta bëjnë testin”, thotë Tunxheva, duke theksuar faktin se ilaçi më i mirë nga viruset mbetet parandalimi.
SHIKONI EDHE: Kush duhet ta marrë vaksinën kundër COVID-it këtë vit?Komisioni për Sëmundje Ngjitëse rekomandon mbajtjen e maskave
Komisioni për Sëmundje Ngjitëse gjatë kësaj jave (20 shtator) ka dalë me rekomandim që të rikthehet masa për mbajtje të detyrueshme të maskave nëpër institucione shëndetësore.
Zëdhënësi i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, Zllate Mehmedoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë, se nëpërmjet rekomandimit për mbajtjen e maskave në institucionet shëndetësore, synohet minimizimi i mundësisë së transmetimit të infeksionit, veçanërisht aty ku ka grupe të rrezikuara që mund të jenë të ndjeshme ndaj komplikimeve të rënda, si pasojë e infektimit me koronavirus.
“Tani për tani mbajtja e maskave në institucionet e shëndetësisë mbeten masat e vetme. Po e vëzhgojmë situatën dhe vendimet ardhshme do të merren varësisht nga ajo”, thotë Mehmedoviq.
Ai, gjithashtu, thotë se nuk ka vend për panik pasi sado që të ketë rritje të numrit të të infektuarve, ai do të jetë shumë herë më i ulët krahasuar me kohën e pandemisë.
“Gjatë muajit gusht kishim të regjistruar 112 pacientë të infektuar me COVID-19, përderisa një vit më herët, 2022, po në gusht kishim të regjistruar 12 mijë e 300 pacientë me COVID-19”, shton Mehmedoviq.
SHIKONI EDHE: Qindra të infektuar, thirrje për vaksinim në Maqedoninë e Veriut
Mbrojtja më e mirë kundër COVID-it mbetet vaksinimi
Nga Klinika për Sëmundje Ngjitëse kanë bërë të ditur se në këtë spital janë shtruar gjashtë pacientë, të moshës mbi 70 vjeç, të cilëve pas infeksionit u është rënduar gjendja pasi janë me sëmundje kronike.
Mjekët kanë sugjeruar vaksinimin kundër COVID-19 veçanërisht për grupet e rrezikuara, përkatësisht ata që vuajnë nga më shumë sëmundje kronike.
“Personat e moshuar dhe ata me sëmundje përcjellës rekomandohet të pranojnë dozën e vaksinës kundër COVID-19, në mënyrë që të ulin rrezikun nga shfaqja e komplikimeve po njëkohësisht dhe të risin imunitetin”, ka theksuar për REL-in Aleksandar Pelickoski, kryetar i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse.
Instituti për Sëmundje Ngjitëse ka konfirmuar për REL-in se janë siguruar 50 mijë doza të vaksinës Pfizer, por interesimi për t’u vaksinuar është shumë i ulët.
Instituti i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se gjatë muajit gusht në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 112 raste të të infektuarve me COVID-19. Në raport me muajin korrik, vërehet rritje e numrit të rasteve të raportuara me koronavirus për 4.6 herë, përkatësisht kishte vetëm 23 raste.
Në muajin qershor janë regjistruar 29 raste me COVID-19.
Lexoni edhe këtë: “Prapë është kthyer?”: Situata me COVID-19 në Kosovë