Rruga e humbur për sigurimin e vaksinës

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kishte paralajmëruar se në muajin shkurt vaksina anti-COVID do të jetë në Kosovë.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka ndonjë datë të saktë se kur mund të arrijnë në Kosovë vaksinat Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca, edhe pse ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kishte paralajmëruar se ardhja e tyre mund të pritet në shkurt.

SHIKONI EDHE: Zemaj: Gjatë shkurtit vaksina anti-COVID do të jetë në Kosovë

Kryetari i Federatës së Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, thotë se Kosova është vonuar jashtëzakonisht shumë në sigurimin e vaksinës kundër koronavirusit. Sipas tij, autoritetet shëndetësore janë përqendruar vetëm te vaksina nga programi COVAX, që është donacion, pa bërë përpjekje serioze për sigurimin e vaksinave nga kompani tjera farmaceutike.

Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxfordit kundër koronavirusit, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.

Kosova pret të marrë nga COVAX-i rreth 100.800 doza të kësaj vaksine

SHIKONI EDHE: Çfarë duhet të dini për vaksinën e AstraZenecas, të cilën e pret Kosova?  

Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI), Aleanca për Vaksina (GAVI), dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), si bashkudhëheqëse të programit ndërkombëtar COVAX, ka njoftuar se planifikon të nisë dërgesën e parë në muajin mars. Por, disa dërgesa do të bëhen edhe në fund të muajit shkurt, tek ato shtete që i kanë plotësuar kriteret.

Një nga kriteret është që pjesëmarrësit duhet të kenë dhënë autorizimin për vaksinën në fjalë, thuhet në një njoftim të këtij koalicioni.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

Por, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë nuk ka dhënë ndonjë informacion për këtë çështje.

Në një përgjigje të kësaj ministrie, thuhet se dozat e para nga COVAX-i në Kosovë do të dorëzohen përmes UNICEF-it (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë).

“Kjo organizatë ka bërë të ditur se këtyre ditëve shtetet përfituese nga COVAX-i do të marrin informata nga kjo kompani në lidhje me hapat e ardhshëm dhe kornizën kohore të alokimit të vaksinës”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

SHIKONI EDHE: OBSH autorizon përdorimin e vaksinës AstraZeneca

As për vaksinën e Pfizer-it, autoritetet shëndetësore në Kosovë “nuk kanë ndonjë konfirmim nga kompania për datën kur mund të alokojnë vaksinën në Kosovë”.

Ministria e Shëndetësisë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.

Kompania amerikane, Pfizer, nuk e ka konfirmuar marrëveshjen me Qeverinë në detyrë të Kosovës.

Syla: Procesi zgjedhor mund të shtyjë ardhjen e vaksinave

Për sigurimin e kësaj vaksine, Blerim Syla, shpreh shqetësimin se Kosova mund të vonohet, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare që janë mbajtur më 14 shkurt në Kosovë.

Ai thotë se nuk ka informacione nëse Ministria e Shëndetësisë ka filluar procedurat për sigurimin e vaksinës.

“Ky hendek normalisht se do të shtyjë edhe për disa muaj arritjen e vaksinave eventuale në Kosovë. Të jem korrekt, nëse ministri në detyrë i Shëndetësisë, i ka lënë procedurat ligjore dhe ka kontratë, atëherë normalisht se ministri i ri do të fillojë në mënyrë kontinuitive. Por, nëse nuk kemi kontratë valide, atëherë ministri i ri detyrohet t’i përgatisë procedurat. Dhe, kjo natyrisht se merr kohë”, thekson Syla.

SHIKONI EDHE: Vaksina e AstraZenecas do të testohet te fëmijët

Kush do të vaksinohet në fillim?

Kosova ka përgatitur Planin e imunizimit kundër COVID-19 në detaje, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë. Në këtë plan përfshihet plani i shpërndarjes - është trajnuar personeli që merret me vaksinim, janë përforcuar kapacitetet e zinxhirit të ftohtë të ruajtjes dhe janë në dispozicion ekipet e vaksinimit dhe logjistika përcjellëse për krejt këtë proces.

“Vaksinimi do të bëhet në nivel qendror dhe lokal. Të parët do të vaksinohen personeli shëndetësor, të moshuarit mbi 80 vjeç, personat e vendosur në shtëpitë e të moshuarve, punëtorët socialë si dhe personat me sëmundje kronike”, thuhet në përgjigje.

Ndryshe, që nga muaji mars i vitit të kaluar, kur në Kosovë u paraqitën rastet e para të të prekurve me koronavirus, numri total i të infektuarve ka arritur në 65.350, i viktimave në 1.558, ndërsa i të shëruarve në 56.974.

Aktualisht, raste aktive me koronavirus në Kosovë janë 6.818.

SHIKONI EDHE: Kur mund të arrihet imuniteti i tufës?

Vaksinimi në Ballkan

Ndryshe nga Kosova, në disa shtete të rajonit, tashmë ka filluar procesi i vaksinimit kundër COVID 19.

Në Shqipëri, vaksinimi ka filluar më 11 janar me doza të vaksinës nga kompania farmaceutike amerikane, Pfizer. Më 16 shkurt, Shqipëria morri edhe 7,020 doza të Pfizer-it.

Në Maqedoninë e Veriut, të mërkurën më 17 shkurt ka nisur vaksinimi kundër COVID-19 i punonjësve shëndetësorë, me vaksinat e dhuruara nga Qeveria e Serbisë.

Serbia, ndërkaq, ka vaksinuar mbi një milion njerëz. Ky shtet në fund të muajit dhjetor ka nisur vaksinimin e popullatës së tij kundër koronavirusit, duke përdorur vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech, e pastaj edhe vaksinën ruse Sputnik V dhe atë kineze, SinoPharm.

Të mërkurën, më 17 janar në Mal të Zi ka mbërritur kontigjenti i parë me vaksina kundër koronavirusit, të cilat janë dhuratë nga Serbia.

Në fund të dhjetorit, Serbia shpërndau vaksina në veri të Kosovës, ku jeton popullata me shumicë serbe.