Liza: Vajza e veçantë që u vra nga një raketë ruse

Liza dhe nëna e saj Iryna.

Një vajzë me nevoja të veçanta ishte një nga të paktën 23 persona që u vranë nga një sulm me raketë më 14 korrik në qytetin ukrainas të Vinicijas. Deri në ditën e sulmit, nëna e vajzës kishte dokumentuar sfidat, por edhe gëzimin e rritjes së një fëmije me Sindromën Down.


Këto fotografi të Iryna Dmytriyeva dhe vajzës së saj, Elizaveta, u realizuan në një fushë me livandë pranë Vinicijas, në fillim të korrikut.

Një javë pas realizimit të këtyre fotografive, disa raketa Kalibr goditën Vinicjan, një qytet në jugperëndim të Kievit dhe larg nga forcat pushtuese ruse.

Pamja pas sulmit me raketa në Vinicijas më 14 korrik.

Sulmi la të vrarë të paktën 23 persona, përfshirë edhe Elizavetën, e cila ishte 4-vjeçare. Nëna e saj, Iryna, humbi një këmbë gjatë sulmit dhe raportohet se është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Një tatuazh që Iryna kishte bërë më 2019 ku emri i vajzës së saj është shkruar me shkrim latin.

Iryna ka shkruar se ajo dhe partneri i saj kuptuan se Liza ishte me nevoja të veçanta kur ende ishte shtatzënë me të.

“Kur mësuam për shtatzëninë, ishim jashtëzakonisht të lumtur. Fotoja perfekte e familjes u vizatua menjëherë në kokën tonë. Por, fati vendosi ndryshe”, kujtoi Iryna përmes një postimi në Intagram.

“Ne ishim gati të kalonim dhimbjen, zhgënjimin nga të tjetër, poshtërimin dhe frikën”.

Iryna ka treguar se doktorët i thanë: “Ti je e re. Pse të duhet një fëmijë i sëmurë?”.

Çifti vendosi të vazhdonte shtatzëninë, pavarësisht se e dinte që bebja kishte probleme serioze shëndetësore. Që të dy ishin të vendosur “që t’i tregonim Lizës botën, jo ta fshihnim atë në mes katër muresh”.

Kur Liza ishte shtatë muajsh, i ishte nënshtruar një operacioni në zemër. Në spital, Iryna tregoi se pa “se si vajza jonë u nxor nga salla e operimit dhe u transferua në njësinë e kujdesit intensiv. Ishte e mbuluar me tela dhe me pajisje mjekësore.... Kaq e vogël dhe e pambrojtur”.

Pas një pritjeje mbi pesë orë, prindërit e Lizës u informuan se operacioni kishte kaluar me sukses.

Liza duke festuar ditëlindjen e saj të parë në mars të vitit 2019. Përshkrimi që Iryna vendosi nën këtë foto të publikuar në Instagram ishte i thjeshtë: “Jam nëna e një engjëlli”.

Në qershor të vitit 2019, Iryna kishte njoftuar se “Liza sot u ul vet për herë të parë! Pa ndihmën e askujt”. Ajo shtoi se “kjo mund të jetë gjë e vogël për dikë, por për ne është e pabesueshme... Për ne, Liza është një luftëtare dhe heroinë, një vajzë e fortë, të cilën e duam deri në çmenduri”.

“Për ne nënat e fëmijëve me nevoja të veçanta, çdo aftësi e re është një gëzim i madh – pas së cilës fshihet shumë punë”, ka shkruar Iryna.

Një foto e realizuar më 2019, ku shfaqet Iryna së bashku me vajzën e saj duke u relaksuar në një park në jug të Kievit.

Fotografi e censuruar e trupit të pajetë të Lizës. Kjo fotografi është publikuar nga Shërbimi i Emergjencave Shtetërore të Ukrainës, pas sulmit më 14 korrik në Vinicija.

Pak kohë pas sulmit me raketë, Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zeneksa, shkroi në Twitter: "Sot, të gjithë jemi të tmerruar nga fotografia e karrocës së fëmijëve që duket e përmbysur në Vinicija. Dhe më pas, duke lexuar lajmet kuptova se e njoh këtë vajzë. E njihja... Unë nuk do t’i shkruaj të gjitha fjalët që dua t’i shkruaj atyre që e vranë atë. Do të shkruaj për ty [Liza]”.

“Ne u takuam teksa po xhironim një video për festën e Krishtlindjes. Kjo vogëlushe arriti që të pikturonte me bojë jo vetëm veten, fustanin e saj, por edhe të gjithë fëmijët e tjerë, mua, kameramanët dhe regjisorin për vetëm gjysmë ore.... Shikojeni atë, gjallë, ju lutem”.

Një grua mban në duar fotografinë e Lizës 4-vjeçare, e cila u varros më 17 korrik në Vinicija.

Liza u varros të dielën, më 17 korrik. Nëna e saj, Iryna 33 vjeçe, vazhdon të jetë në kujdes intensiv në gjendje të rëndë shëndetësore. Familja nuk i ka treguar se Liza po varrosej sot, nga frika se mund t’i përkeqësohej gjendja.

Përgatiti: Mimoza Sadiku