Ushtria ukrainase raporton për luftime të ashpra në lindje

Një ndërtesë e shkatërruar në Harkiv.

Forcat ukrainase kanë zmbrapsur sulme të shumëfishta ruse në lindje, ka thënë ushtria ukrainase më 18 nëntor, teksa Moska ka vazhduar të shënjestrojë infrastrukturën e energjisë, duke dëmtuar edhe më shumë furnizimet me rrymë dhe gaz.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase ka thënë se ushtria ka luftuar ofensivën ruse në tetë lokacione në rajonet lindore në Donjeck dhe Luhansk.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë në adresimin e tij më 17 nëntor se 10 milionë ukrainas kanë mbetur pa rrymë, pas një vale të sulmeve ruse me raketa.

Të paktën shtatë persona janë vrarë në sulme dhe numri pritet të rritet.

“Ne jemi duke bërë gjithçka për të normalizuar furnizimet”, ka thënë Zelensky.

Sipas tij, mbrojtja ajrore ka arritur të rrëzojë gjashtë raketa dhe pesë dronë.

Edhe më 17 nëntor, Rusia ka goditur stacionet e energjisë dhe ndërtesat civile në Ukrainë.

Specialistët ukrainas që janë duke punuar për të rregulluar problemet me energji, kanë thënë se puna e tyre është duke u vështirësuar nga minat tokësore.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.