Ushtria ukrainase ka thënë se i ka sulmuar përgjatë natës sistemet ruse për mbrojtje ajrore në qytezën Jevpatoria në pjesën perëndimore të Krimesë.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë përmes një deklarate se sistemet e saj ajrore i kanë rrëzuar 11 dronë përgjatë natës mbi Krime – gadishull ukrainas të cilin e ka aneksuar Moska më 2014.
Autoritetet ruse nuk kanë raportuar për ndonjë dëm.
Një video që ka qarkulluar në rrjetet sociale e ka shfaqur shpërthimin dhe tymin përgjatë natës në zonën e sulmuar.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta verifikojë vërtetësinë e incizimit.
Një burim ukrainas i inteligjencës ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se si pasojë e sulmit është shkatërruar sistemi ajror “Triumf”.
SHIKONI EDHE: Gjak dhe armë: Kostoja e luftës së Rusisë në UkrainëSipas këtij burimi, fillimisht dronët e kanë sulmuar radarin dhe antenën ruse, dhe më pas dy raketa ukrainase Neptune i kanë goditur lansueset e sistemit rus.
Për këtë sulm raportohet një ditë pasi Ukraina ka nisur sulme me raketa në portin e Sevastopolit, në Krime, zonë në të cilën gjendet flota e marinës ruse në Detin e Zi.
Ky sulm për disa është parë si shenjë se Ukraina është duke i rritur kapacitetet e saj të sulmeve me raketa.
Ushtritë e dy vendeve janë në luftë qe 18 muaj, përkatësisht prej 24 shkurtit të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.