Ushtria izraelite thotë se ka nxjerrë trupat e gjashtë pengjeve prej Gazës

Ushtria izraelite në Rripin e Gazës.

Ushtria izraelite ka thënë të martën se ka nxjerr trupat e gjashtë pengjeve të marra prej militantëve të Hamasit më 7 tetor në jug të Izraelit, që ka nxitur luftën në Gazë.

Hamasi është grup që udhëheq Gazën, i shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Ushtria ka thënë përmes një deklarate të martën se forcat e veta kanë nxjerrë trupat përgjatë një operacioni të zhvilluar gjatë natës në jug të Gazës.

Ushtria ka thënë se janë nxjerrë trupat e Yagev Buchshtabit, Alexander Dancygut, Avraham Munderit, Yoram Metzgerit, Nadav Popplewellit, and Haim Perryit, pa e përmendur se kur apo si kanë vdekur.

Ky operacion është kryer teksa Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari po tentojnë të ndërmjetësojnë një armëpushim në mes të Izraelit dhe Hamasit, që mund të rezultojë me lirim të dhjetëra pengjeve të mbajtura prej Hamasit.

SHIKONI EDHE: Sfidat kryesore në negociatat për armëpushim në Gazë

Hamasi ende besohet se mban rreth 110 pengje të zëna në sulmin e 7 tetorit.

Autoritetet izraelite vlerësojnë se rreth një e treta e tyre kanë vdekur.

Si pasojë e sulmit të 7 tetorit, ushtria izraelite ka nisur ofensivë ushtarake në Gazë, me qëllim të shkatërrimit të Hamasit.

Më shumë se 40.000 palestinezë janë vrarë prej atëherë, sipas autoriteteve lokale në Gazë.