Ushtria izraelite ka thënë të hënën se trupat e saj kanë kryer bastisje në ndërtesat e spitalit Al-Shifa në Gazë, në një operacion që autoritetet shëndetësore palestineze kanë thënë se ka rezultuar me shumë viktima dhe me një zjarr të madh në njërën prej ndërtesave.
Ushtria ka thënë se ushtarët kanë kryer “operacion preciz” dhe se janë përballur me të shtëna me armë zjarri kur kanë hyrë në spital.
“Trupat janë përgjigjur me armë zjarri dhe zonat prej kah ka ardhur sulmi janë identifikuar. Trupat tanë janë duke vazhduar operimin në zonën e spitalit”, është thënë në deklaratë.
Sipas ushtrisë, operacioni është zhvilluar pas sigurimit të informacionit që spitali është përdorur prej liderëve të lartë të Hamasit.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
SHIKONI EDHE: Katari: Izraeli dhe Hamasi ”nuk janë afër një marrëveshjeje” armëpushimiMinistria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se zjarri ka shpërthyer në hyrje të kompleksit, duke ngufatur disa gra dhe fëmijë.
Sipas saj, komunikimet janë pamundësuar me spitalin, dhe kështu disa persona janë bllokuar brenda njësiteve të kirurgjisë dhe emergjencës.
“Ka viktima, të vrarë dhe të plagosur, dhe është e pamundshme të shpëtohet dikush për shkak të intensitetit të zjarrit dhe goditjes së secilit që u afrohet dritareve”, ka thënë ministria, duke i akuzuar forcat izraelite për “një tjetër krim kundër institucioneve shëndetësore”.
Ushtria ka thënë se trupat janë udhëzuar për rëndësinë e operimit me kujdes, si dhe për masat që duhet marrë për të shmangur dëmtimin e pacientëve, civilëve, stafit mjekësor dhe pajisjeve mjekësore, dhe ka thënë se pacientëve nuk u është kërkuar të evakuohen.
Hamasi ka thënë përmes një deklarate se ushtria izraelite është duke kryer një tjetër krim, duke shënjestruar ndërtesat e spitalit, pa e vrarë mendjen për pacientët, stafin mjekësor dhe personat e zhvendosur që janë strehuar aty.
SHIKONI EDHE: Iftar mes gërmadhave në GazëKy spital në qytetin e Gazës është një prej qendrave të pakta shëndetësore që kanë mbetur funksionale në enklavën e rrethuar, dhe ushtria izraelite e ka akuzuar që një kohë Hamasin për përdorim të tij si bazë të luftëtarëve.
Hamasi dhe zyrtarë të spitalit i kanë hedhur poshtë akuzat.
Ushtria izraelite e ka nisur ofensivën tokësore dhe ajrore në Gazë, pas militantët e Hamasit i kanë vrarë rreth 1.200 njerëz në jug të Izraelit, më 7 tetor të vitit të kaluar, si dhe i kanë marrë rreth 240 pengje.
Autoritetet shëndetësorë në Gazë kanë thënë që më shumë se 31.000 palestinezë janë vrarë qysh prej nisjes së ofensivës.